Deklaratat e sotme e Kryeministrit Hristijan Mickoski për mundësinë që Struga të mbetet jashtë lidhjes me Korridorin 8 janë shqetësuese dhe kërkojnë sqarime.
Bëhet fjalë për një projekt me peshë të madhe zhvillimore, dhe çdo devijim nga plani fillestar rrezikon të dëmtojë jo vetëm një zonë të caktuar, por balancën infrastrukturore të gjithë rajonit. Lënia anash e një nyje të rëndësishme si Struga krijon pasoja afatgjata për ekonominë dhe lidhshmërinë.
Aleanca për Shqiptarët vlerëson se qytetarët meritojnë përgjigje të drejtpërdrejta dhe një qëndrim të qartë institucional për drejtimin që do të marrë ky projekt. Është e domosdoshme që të prezantohet një zgjidhje e qëndrueshme, e cila nuk e lë në hije interesin publik.
Roli i UNESCO duhet të respektohet, por kjo nuk duhet të sjellë vendime të njëanshme apo mungesë vizioni në realizimin e projekteve strategjike.
Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të ndjekë nga afër këtë proces dhe do të reagojë ndaj çdo zhvillimi që cenon interesin e qytetarëve dhe zhvillimin e barabartë të vendit.