Përballur sërish me fushata për njollosje dhe paraqitje të qëllimshme dhe tendencioze negative ndaj maqedonasve, vendosa t’u drejtohem drejtpërdrejt, sinqerisht dhe t’u jap dorën e bashkëpunimit popullit maqedonas, për bashkësi, në mbrojtje të gjuhës maqedonase dhe asaj shqiptare, në mbrojtje të identitetit dhe veçorive tona, njëri për tjetrin, së bashku për një Maqedoni Evropiane, shprehet lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në një kolumnë për “360 gradë” në prag të përvjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, transemton INA.
Shkruan: Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së
Në 24-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, me të cilën filluam së bashku të ndërtojmë një Maqedoni unike dhe të barabartë, vendosa t’u drejtohem bashkëqytetarëve të mi maqedonas në gjuhën maqedonase.
Gjatë viteve të shkollës së mesme kërkoja të drejtat për popullin tim dhe u përndoqa, u detyrova të largohem nga vendlindja dhe punova mbi 20 vjet në diasporë.
Mua dhe bashkëkombësve të mi na mohohej gjuha, flamuri, e drejta e barazisë dhe e ekzistencës me logjikën “Maqedonia për maqedonasit”.
Asokohe, as sot, nuk kam shtet tjetër. Nuk kam atdhe rezervë. Gjyshi dhe stërgjyshi im, babai dhe nëna ime, pushojnë në Zajaz, Kërcovë.
Pavarësisht të gjitha sulmeve dhe propagandës gjatë 24 viteve të fundit, dua të deklaroj qartë dhe pa ekuivok se unë dhe shqiptarët, dje, sot e nesër, angazhohemi për një Maqedoni unike, të përbashkët dhe të barabartë, jo “e jotja” apo “e imja”, por e përbashkët – e të gjithëve.
Edhe pse këtë e dinë Cërvenkovski, Gruevski, Zaev, Mickoski dhe paraardhësit e tyre, në vitet tona të rinisë, kush guxonte të kërkonte barazi përballej me akuzat për separatizëm, nacionalizëm dhe shovinizëm. Sot, i njëjti qëndrim përsëritet në mënyrë më sofistikuar, përmes ndjekjeve dhe njollosjes për korrupsion dhe krim, nga e njëjta doktrinë dhe të njëjtit mendësi të kapura, që qytetarët i ndajnë në qytetarë të rendit të parë, të dytë e të tretë, dhe mendojnë se shteti i përket vetëm atyre.
Me qëllim të keq, ndër politikanët elitar po mbillet dhe po vazhdon të mbillet frikë e rreme ndaj shqiptarëve si armiq të imagjinuar, për të mbajtur pushtetin duke përdorur këto frikëra të imponuara, pa u përkushtuar për një të ardhme të përbashkët.
Me Marrëveshjen e Ohrit ia kemi dhënë dorën njëri-tjetrit, kemi dhënë fjalën dhe besën se do të ndërtojmë një atdhe të përbashkët, të barabartë dhe euro-atlantik.
Nuk ka qenë dhe nuk është e lehtë, ka pasur rezistencë dhe refuzim, kryesisht nga një keqkuptim i imponuar që dikush fiton dhe tjetri humb, nga elitat politike që mendonin për zgjedhjet e ardhshme, jo për brezat që vijnë.
Unë jam nga ata që punojnë për brezat e ardhshëm. Kryeministra dhe akademikë më ofruan ndarjen e Maqedonisë, por unë nuk pranova.
Më njollosën si bashkëpunëtor të shërbimeve serbe me dosje të falsifikuara, deri tek akuza për korrupsion, por qytetarët gjithmonë na mbështetën.
Gjatë 24 viteve kam punuar me bashkëpunëtorët e mi për të zbatuar Marrëveshjen e Ohrit, për integrimin në NATO dhe BE, për ndërtimin e autostradave, universiteteve, spitaleve, kopshteve, shkollave, institucioneve, për marrjen e përgjegjësisë për shtetin tonë të përbashkët dhe për të treguar se nga barazia përfitojnë më së shumti qytetarët dhe shteti.
Është dëshmuar se kur shteti është besnik ndaj qytetarëve të vet, edhe qytetarët janë besnikë ndaj shtetit.
E di që këto politika nuk janë popullore, por janë shtetndërtuese. Këto angazhime mund të mos sjellin fitore të garantuar në zgjedhje, por sigurojnë një të ardhme për të gjithë.
Pak janë liderët që rezistojnë tundimit për të ngjitur në valën e nacionalizmit dhe populizmit për fitore të përkohshme me pasoja afatgjata negative për shtetin dhe shoqërinë.
Fatkeqësisht, jemi dëshmitarë se mund të kthehemi mbrapa, të harrojmë të kaluarën dhe të përsërisim gabimet e tashmes që do na kushtojnë në të ardhmen, për arsye të impulseve të lehta.
Në këtë 24-vjetor, përballë sërish fushatave për njollosje dhe paraqitje të qëllimshme dhe tendencioze negative ndaj maqedonasve, vendosa t’u drejtohem drejtpërdrejt, sinqerisht dhe t’u jap dorën popullit maqedonas, për bashkësi, në mbrojtje të gjuhës maqedonase dhe asaj shqiptare, në mbrojtje të identitetit dhe veçorive tona, njëri për tjetrin, së bashku për një Maqedoni Evropiane.
Shqiptari kurrë nuk ka mohuar gjuhën maqedonase dhe identitetin, historinë dhe kulturën, fenë dhe shtetin Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Pres dhe kërkoj që edhe maqedonasit të respektojë veçoritë e popullit tim dhe ta kuptojë përfundimisht dhe pa paragjykime se nga barazia nuk humb asgjë, përkundrazi fiton shumë.
Thonin se Marrëveshja e Ohrit do të shkatërronte Maqedoninë, se të drejtat e shqiptarëve do ta federalizonin vendin, se maqedonasit që nuk flasin shqip do të ndëshkoheshin, se dygjuhësia do të ishte fundi i vendit, se me kryeministër apo kryetar parlamenti shqiptar Maqedonia do të zhdukej, se me Korridorin 8 po ndërtohet Shqipëria e Madhe, se maqedonasit janë pakicë në Qeveri.
Sot, 24 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, është e qartë se gjithë ajo propagandë është mundur, Maqedonia ekziston, është anëtare e NATO-s dhe e angazhuar për një të ardhme evropiane për të cilën duhet të punojmë bashkë.
Prandaj, të nderuar bashkëqytetarë, vetëm së bashku, me respekt të ndërsjellë, pa paragjykime dhe me angazhim të sinqertë për njëri-tjetrin, mund të ndërtojmë një shoqëri të drejtë dhe të barabartë që mbron vlerat evropiane në një vend dhe rajon të integruar evropianisht.