Ambasada e Italisë në Kosovë ka reaguar pas operacionit të djeshëm të kërkimit që Forca e Sigurisë së Kosovës e zhvilloi në koordinim me KFOR-in në Liqenin e Ujmanit.
Ambasada shprehu mbështetje për misionin e NATO-s në Kosovë si dhe komandantin e KFOR-it.
“Ambasada e Italisë në Kosovë shpreh mbështetjen e plotë për misionin e KFOR-it dhe për komandantin e KFOR-it, i cili veproi brenda kufijve të mandatit të tij, në dritën e rrethanave fatkeqe që kërkuan ndërhyrjen e ekipit për arsye humanitare”.
“Ambasada rithekson vlerësimin e plotë të rolit pozitiv e të gjatë të misioni të KFOR-it në Kosovë”.
Forca e Sigurisë së Kosovës arriti dje, më 29 korrik, të gjejë trupin e pajetë të një personi i cili u raportua se kishte kërcyer nga ura në Liqenin e Ujmanit të dielën. Ekipet e specializuara të Forcës u përfshinë në operacion vetëm në ditën e tretë dhe kjo erdhi pasi KFOR-i e autorizoi FSK-në që të zhvillojë këtë operacion humanitar.
Dislokimi i trupave të FSK-së në veriun e banuar me shumicë serbe mund të bëhet vetëm me pëlqim paraprak të KFOR-it, në bazë të një zotimi që është bërë në vitin 2013 nga Qeveria e Kosovës dhe NATO.
Ujmani ndodhet në Zubin Potok – një prej katër komunave veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe