Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit është vlerësuar me mirënjohje nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, për kontributin e dhënë ndër vite në ofrimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët shqiptarë, veçanërisht nga qarku i Kukësit dhe zonat veriore të Shqipërisë.
Gjatë ceremonisë, u theksua përkushtimi i stafit mjekësor dhe mbështetja e vazhdueshme që ky institucion u ka ofruar pacientëve nga Shqipëria, duke e konsideruar këtë bashkëpunim një shembull konkret të solidaritetit dhe humanizmit mes dy vendeve.
Drejtori i spitalit, Osmani Hajdari, deklaroi se gjatë vitit 2025, në këtë institucion janë trajtuar qindra pacientë nga Shqipëria. Sipas tij, janë realizuar rreth 800 hospitalizime, 400 ndërhyrje në urgjencë, 450 vizita në shërbime të tjera spitalore, si dhe mbi 2.200 seanca në repartin e dializës, duke e çuar në mbi 3.200 numrin e vizitave specialistike për qytetarët shqiptarë.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, vlerësoi lart gatishmërinë dhe profesionalizmin e stafit shëndetësor të Spitalit të Prizrenit, duke theksuar se shërbimi i ofruar ndaj pacientëve nga Shqipëria është një dëshmi e marrëdhënieve të forta mes dy shteteve.
Ndërsa ministri i Shëndetësisë në detyrë i Kosovës, Arben Vitia, u shpreh se bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë mbetet një prioritet i përbashkët, duke nënvizuar rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe koordinimit institucional.
Vizita e ambasadorit Malaj u cilësua si një hap tjetër drejt forcimit të bashkëpunimit ndërkufitar dhe thellimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë në sektorin e shëndetësisë.