Një ditë para fundit të afatit kushtetues për konstituimin e legjislaturës së re, në mbledhjen e 52-të, të pranishëm në Kuvend do të jenë edhe ambasadorët e akredituar në Kosovë.
Sipas njoftimit nga ambasada Gjermane, ambasadori Jorn Rohde dhe kolegët e tij ndërkombëtarë pas rreth tre muajsh do të përcjellin nga afër seancën “marrë parasysh se nesër është mundësia e fundit për konstituimin e Kuvendit para fundit të afatit Kushtetues”.
Ndërsa, vetë Rohde theksoi urgjencën e formimit të institucioneve të reja.
“Me praninë tonë duam të theksojmë urgjencën për t’i dhënë fund bllokadës politike… Kam dhënë intervista, sikurse edhe kolegët e mi, dhe është urgjente që Kosova t’i japë fund bllokadës politike. Sikur themi në Gjermani, ju mund t’i tregoni dikujt se ku është çezma e ujit, por për të pirë duhet ta bëni vetë. Si vëzhgues i jashtëm vetëm mund të jap këshilla dhe bëj kërkesa, por puna duhet të kryhet nga politikanët. Populli i Kosovës ka folur më 9 Shkurt, por politikanët nuk kanë dëgjuar votën e tyre dhe kjo është e dhimbshme”, ka thënë Rohde.
Ambasadori gjerman foli edhe për pasojat ekonomike e financiare të bllokadës së deritanishme dhe vazhdimit eventual të saj.
“Qindra miliona euro janë duke u rrezikuar nëse Kosova nuk ka Kuvend dhe Qeveri funksionale shumë shpejtë. Janë paratë e Planit të Rritjes të BE-së, janë kreditë e Bankës Botërore, janë kreditë gjermane, të cilat janë në rrezik. Na duhen vendime së shpejti. Tenderët janë të pezulluar ose ndaluar dhe qytetarët po e paguajnë çmimin… Kam folur me të gjithë dhe u kam thënë të gjithëve thirrjen e njëjtë, sikurse kanë bërë kolegët e mi: bëjeni punën tuaj dhe formoni institucionet sa më shpejtë të jetë e mundur”, ka shtuar Rohde.