Edhe Ministria e Mbrojtjes edhe kompanitë private në fushën e industrisë ushtarake janë në të njëjtën linjë se në Maqedoninë e Veriut duhet të përforcohet prodhimi vendor i pajisjeve dhe armëve ushtarake.
Plani evropian për riarmatim dhe për përforcimin e gatishmërisë mbrojtëse të vendeve evropiane deri në vitin 2030 ka hapur pyetjen për nivelin e industrisë ushtarake në vend, me ç’rast edhe kompanitë e pakta vendase edhe shteti po tregojnë gatishmëri për të punuar së bashku për zhvillimin e tyre.
Në kuadër të Grupacionit për armët, eksplozivët dhe substancat e rrezikshme, mjetet piroteknike dhe programin për qëllime ushtarake dhe civile pranë Odës së Tregtisë anëtarë janë më pak se 10 kompani.
Ata punojnë në fusha të ndryshme të industrisë – duke filluar nga municioni, eksplozivët dhe materialet e rrezikshme; tregtimi i mjeteve piroteknike dhe realizimi i fishekzjarrëve, armatimi dhe pajisjet ushtarake, prodhimi i armëve dhe pajisjeve, e të tjera.
Ata po kërkojnë rinovimin e prodhimit të dedikuar industrial, si dhe krijimin e qendrave të shërbimit dhe logjistikës për mirëmbajtjen e aseteve ushtarake të Ushtrisë.
Kryetari i Grupacionit për Armët, Dimitar Mangutov, thotë se me planin evropian do të mobilizohen mbi 800 miliardë euro, nga të cilat 150 miliardë euro do të jenë kredi për projekte për prodhimin dhe prokurimin e armëve për investime në mbrojtje dhe për përforcimin e kapaciteteve ushtarake në vendet evropiane në 5 vitet e ardhshme.
“Jemi të mendimit se ky është një moment i mirë për ta rimëkëmbur industrinë ushtarake në vendin tonë, e të mos përqendrohemi ekskluzivisht në prokurimin e sistemeve të mbrojtjes për nevojat e shtetit”, thotë Mangutov.
Kompanitë janë të mendimit se fillimisht duhet të përpilohet një strategji.
“Ne duhet t’i shohim kapacitetet tona, potencialin makinerik dhe njerëzor, domethënë gjithë atë që e kemi në dispozicion. Pyetja është nëse ne si shoqëri duam ta ngremë këtë industri në një nivel më të lartë, pra jo vetëm të merremi me tregtimin e pajisjeve ushtarake, por ta inkurajojmë edhe vetë prodhimin”, tha Entoni Peshev, drejtor ekzekutiv i Odës së Tregtisë.
Мinistria e Mbrojtjes i mbështet të gjitha mundësitë për investime në këtë industri konkrete, jo vetëm për të rritur kapacitetet e përgjithshme të NATO-s, por edhe për të ndikuar në zhvillimin dhe transferimin e teknologjive.
“Investimi në prodhimin vendor, zhvillimin e pajisjeve dhe armatimeve është një interes dhe vendim brenda kompanive private. Sigurisht që Ministria e Mbrojtjes është e gatshme të ofrojë mbështetje profesionale për zhvillimin e industrisë së specializuar të secilës kompani”, thanë nga Ministria e Mbrojtjes.
Edhe ish-ministrja e mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, pajtohet me këtë qëndrim. Por ajo thekson se shteti duhet t’i ndihmojë financiarisht kompanitë private vendase, sepse investimet në industrinë e mbrojtjes janë shumë të kushtueshme.
“Numri i kompanive që merren me prodhim është shumë i vogël. Mendoj se nuk ka më shumë se dy ose tre kompani që merren me prodhim, ndërsa disa prej tyre do kisha thënë se kanë një prodhimtari shumë të kufizuar, ato nuk prodhojnë armatim, municion dhe elemente të tjera, disa të tjera kryesisht merren me import- eksport. Qeveria duhet të jetë më e shpejtë në tërheqjen e investitorëve të tillë, pavarësisht nëse janë vendas apo të huaj, të cilët shumë shpejt do të mund të marrin një copë nga ai kulaç në tregun botëror”, thotë Petrovska.
Investime të huaja në industrinë ushtarake
Kryeministri Hristijan Mickoski tashmë njoftoi për investime të huaja në industrinë ushtarake. Në muajin tetor në Mbretërinë e Bashkuar ai nënshkroi një Memorandum për bashkëpunim në industrinë ushtarake me kompaninë britaniko-amerikane “Burstock LTD” për një investim prej 150 milionë dollarësh, me pritshmëri që investimet në këtë fushë të arrijnë deri në një miliard dollarë.
Por, përveç regjistrimeve zyrtare nga Londra nga nënshkrimi i Memorandumit me George Busby, një nga themeluesit e “Burstock LTD”, Qeveria e Maqedonisë nuk ka zbuluar se çfarë më saktësisht do të jetë investimi dhe në cilën sferë të industrisë ushtarake duhet të japë kontributin e saj kjo kompani britaniko-amerikane.
Ajo në publik prezantohet si një kopmani ndërkombëtare për konsulencë me përvojë pune në Mbretërinë e Bashkuar, Evropë dhe Lindjen e Mesme.
“Kompania ka një përvojë shumëvjeçare në fushën e mbrojtjes, diplomacisë, sigurisë dhe inteligjencës, shërbimeve të konsulencës dhe menaxhimit të projekteve, si dhe është e specializuar në sektorin komercial detarë dhe aviatik. Kompania ofron shërbime konsulence strategjike për qeveritë sovrane dhe subjektet tregtare në të gjithë Evropën dhe Lindjen e Mesme”, thuhet në uebfaqen e saj zyrtare.
Ne kërkuam informacion shtesë edhe nga kompania në lidhje me investimin në Maqedoninë e Veriut, por nuk morëm përgjigje nga kompania “Burstock LTD”.
Barney White-Spanner dhe historia me Maqedoninë e Veriut
Кompania “Burstock LTD“ është themeluar në vitin 2015 nga Barney White-Spanner dhe George Busby. Të dy në të kaluarën kanë punuar për qeverinë britanike në shumë vende të ndryshme, ndërsa janë të lidhur ngushtë edhe me rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Sa i përket fushave të veprimtarisë së tyre thuhet se ata kanë ekspertizë në shumë sektorë tregtarë dhe njohuri të veçanta në mbrojtje, diplomaci, siguri dhe inteligjencë.
Sipas biografisë së tij White Spanner ka luajtur një rol aktiv në periudhën kritike për vendin në konfliktin ushtarak në vitin 2001.
Sir Bernie White Spanner është një ish-gjeneral britanik dhe komandant i NATO-s në Maqedoninë e Veriut gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit 24 vjet më parë.
Ai ka komanduar gjatë Operacionit të NATO-s “Korrja e Nevojshme”, misioni i të cilit ishte grumbullimi i armëve të paligjshme pas konfliktit ushtarak.
Pas këtyre krizave, 17 vjet më vonë – Spanner dhe Busby kthehen në Maqedoninë e Veriut duke përfshirë një numër të madh diplomatësh të tjerë perëndimorë përmes një organizate joformale të sapoformuar të quajtur “Grupi Ohri”, e cila dha mbështetje publike për referendumin e 30 shtatorit të vitit 2018 për Marrëveshjen e Prespës.
Tani, ata po kthehen përsëri si investitorë potencialë, siç i njoftoi kryeministri Mickoski, me kompaninë e tyre “Burtsok” që hyn në industrinë ushtarake të Maqedonisë.
Në hap me BE-në për armatim me dronë
Një nga investimet kryesore në riarmatimin e vendeve të Bashkimit Evropian me buxhete rekord shtesë për mbrojtje po bëhen në teknologjinë e dronëve dhe mbrojtjen kundër dronëve. Shumat e përgjithshme të ndara nga buxheti për mbrojtjen në BE në vitin 2025 u rritën në 381 miliardë euro, ndërsa kjo rritje dramatike është pasojë e drejtpërdrejtë e pushtimit rus të Ukrainës.
Nga vendet fqinje Kosova është shembulli më i fundit i armatimit aktiv me prokurimin e mijëra droneve nga Turqia, gjë që hasi në reagime të ashpra nga Beogradi zyrtar, ndërsa ushtruesi i detyrës kryeministër, Albin Kurti, njoftoi edhe për krijimin e industrisë vendase të prodhimit të dronëve.
Ky trend i armatimit me dronë thonë se po ndiqet edhe nga Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë, pra procesi i modernizimit dhe pajisjes së Ushtrisë përfshin edhe prokurimin e sistemeve pa pilot.
“Ushtria e Maqedonisë krahas burimeve financiare të destinuara për modernizim dhe pajisje, po pajiset edhe me ndihmë nga aleatët e NATO-s dhe përmes Fondit Evropian të Paqes. Në muajin dhjetor të vitit 2024 ne lidhëm gjashtë kontrata të reja për prokurimin e pajisjeve me partnerin tonë strategjik Shtetet e Bashkuara, të cilat, përveç pajisjeve për forcat speciale, për përforcimin e sigurisë kibernetike, armatimit për këmbësorinë e lehtë, përfshijnë edhe prokurimin e dronëve PUMA dhe RAVEN”, thanë nga Ministria.
Pse nuk fluturoi droni i parë nga RMV-ja?
Njoftime për prodhimin e dronëve në Maqedoninë e Veriut kishte, por ato përfunduan vetëm si një premtim.
Por pikërisht projekti që mbështeti ish-qeveria dhe ish-ministrja Petrovska, për të cilin shteti vendosi të investonte para në një kompani private, përfundoi pa sukses.
Në dhjetor të vitit 2023 qeveria e udhëhequr nga Dimitar Kovaçevski njoftoi për prodhimin e dronëve të parë ushtarakë shumëfunksionalë në Maqedoni në kompaninë “ATS AMMO” në Samokov.
“Ato do të jenë shumëfunksionale sepse në ditët e sotme shumëdimensionaliteti ose nevoja për aspekte të shumëfishta imponohet gjithnjë e më shumë. Ato do të mund të dërgohen edhe në misione zbulimi dhe inteligjence, e sigurisht që do të jenë të pajisur për operacione luftarake, por edhe për përdorim në qëllime civile”, tha atëkohë Petrovska.
Dy vjet më vonë ish-ministrja thotë se nuk e di arsyen se pse partneriteti shtetëror me ATS-në në Samokov nuk funksionoi profesionalisht, të cilin edhe ajo vetë e shpalli si një investim me rëndësi strategjike për shtetin.
Ideja, siç tha Petrovska në një intervistë me Radion Evropa e Lirë, ishte që poligoni ushtarak në Krivollak të ishte në funksion si një vend ku mund të testoheshin këto dronë.
“Pse nuk është realizuar ende, nga kjo perspektivë dhe pas një viti a më shumë nuk do të dija si të përgjigjem. Por, ndoshta është një vendim i investitorit ose një vendim i qeverisë”, tha Petrovska.
Nga udhëheqësia aktuale e mbrojtjes, e kryesuar nga ministri Vllado Misajlovski, shkurt thanë se nuk janë të njohur me një projekt të tillë.
“Ministri Misajlovski nuk gjeti një projekt të zhvilluar me një kompani nga Maqedonia në industrinë ushtarake”, thanë nga kabineti i Misajllovskit.
E vetmja fabrikë në vend nga industria ushtarake që prodhon municione të kalibrit të vogël e që është e regjistruar dhe merr pjesë në tregun e NATO-s është ATS Grup, në të cilin bën pjesë ish-fabrika e municioneve “Suvenir” në Samokov. /Portalb/