Ardi Behari mbetet drejtori më jetë gjatë i Fla murtarit teksa përjetoi dy epoka të drejtimit të klubit nga Shpëtim Gjika dhe Sinan Idrizi. Për shkak të aftësisë dhe nuhatjes drejtuesit e graduan edhe si “trurin” e funksionimit të merkatos dhe punëve menaxheriale të klubit.
Vlonjati që tashmë është pjesë e FSHF-së, komenton debutimin e Flamurtarit në Superiore pas pesë vitesh. Duke iu referuar ndeshjes me Bylisin, Behari thotë se kuqezinjtë nuk dinë të administrojnë rezultatin dhe kanë probleme në mbrojtje. “Flamurtari dhe Bylisi u ndan në një barazim 3-3. Bollëku i golave erdhi si pasojë e pasigurive të mbrojtjes, më shumë se sa manovrës sulmuese që prodhoi Flamurtari dhe Bylisi. Veçoj golin e dytë që ishte një aksion manual nga e majta, krah në të cilin Flamurtari dominoi të gjithë pjesën e parë. Flamurtari dominoi në pjesën e parë, pasi krijoi dendësi kualiteti në krahun e majtë duke vendosur edhe Rodrigesin në këtë krah.
Menjëherë pasi shkonin në zonën e përfundimit të aksionit ndërronin krahun e lojës. Aty ishte i gatshëm si Maksuti ashtu edhe sulmuesi kryesor që vinte me prerje të brendshme. Në përgjithësi pjesën e parë Flamurtari e filloi mirë, vrullshëm, me ritëm, agresiv, presoi lartë dhe kishte një dominim jo vetëm territorial por edhe të mbajtjes së topit në zotërim. Krijoi, por më tepër golat erdhën për pasiguri të Bylisit. Këtu është edhe dobësia e Flamurtarit në këto dy ndeshje të para tek fakti që nuk di të administrojë avantazhin. Nuk është vetëm 2-0.
Rasti i golit të dytë të Bylisit ishte një rast që duhet merret seriozisht nga skuadra pas Malomo me topin në këmbë ka dribluar pothuajse gjysmën e skuadrës së Flamurtarit. Në këtë moment të shkurtimit të distancës së golave, Flamurtari u fut në një lloj krize sepse filloi të tërhiqej dhe nuk ishte më ai që zotëronte pjesën e parë. Edhe Bylisi nuk ju përgjigj me kapacitete që kishte. Vuajti Bylisi në manovrën sulmuese për shkak se Peralta kishte një pozicion jo natyral. Pjesa e dytë filloi me gol dhe kjo e bëri intriguese.
Pjesa e dytë nuk u ngit dot në nivelin e pjesës së parë. U mundua shumë Flamurtari të ekuilibronte mbajtjen e topit në zotërim. Me ndërrimet që bëri trajneri freskoi pak skuadrën, rriti presionin dhe erdhi dhe goli i tretë nga një goditje standarde. Por gjithmonë ishte Bylisi. Ai shfrytëzoi shpejtësinë e lojtarëve dhe pasigurinë e Flamurtarit në mbrojtje. Pjesa e dytë u zhvillua në tranzicione për të dyja skuadrat dhe mund të fitonte skuadra që do të ishte pak më e qetë përpara portës. Skuadrat u zgjatën, nuk kishte më manovër por zgjatje dhe strategji të tipit do presim dhe do rinisim”, shprehet fillimisht Behari.
PRITSHMËRITË – Pavarësisht se e cilëson pozitive pikën e marrë në Ballsh, Ardi Behari mendon se Flamurtari duhet të ketë qasje tjetër ndaj administrimin të lojës. Ish drejtori i klubit thotë se pritshmëritë janë të larta edhe ndaj trajnerit Karlos Garsia Garsia që vjen nga shkolla spanjolle. “Është një pikë e mirë për Flamurtarin në një fushë të vështirë si e Bylisit. Një pikë morali. Por duhet të ketë parasysh se duhet të kishte një qasje tjetër sidomos me avantazhin dhe administrimin e lojës. Ne të gjithë e kemi pritur më kërshëri këtë skuadër, duke pasur parasysh elementët që ajo ka brenda dhe trajnerin më së shumti që vjen nga shkolla spanjolle dhe ne mendojmë më tepër për fazën sulmuese për manovrat sulmuese.
Jemi mësuar dhe kemi ndjekur futbollin spanjoll. Por unë mendoj se Flamurtari është një skuadër e brishtë në fazën mbrojtëse. Mendoj se pikësëpari Flamurtari duhet të rregullojë fazën mbrojtëse, sepse në tranzicionet negative është pa linja mbrojtje. Çdo aksion i rinisur nga kundërshtari përfundon te linja e mbrojtjes dhe sado të fortë të jenë ata, në një moment do të vendosen në krizë dhe do të çedojnë. Kështu që në përgjithësi është një pikë pozitive për Flamurtarin. Kjo është një skuadër e fortë dhe e mirëinvestuar. Historia tregon se në përballjet direkte ka dominuar Flamurtari. Skuadrat duhet të jenë të kënaqura për nga një pikë që ndanë me njëra-tjetrën dhe jo për mënyrën e lojës pasi të dyja kanë probleme në këtë drejtim”, përfundon Behari.