Është e sigurt se parashikimet aktuale të buxhetit për inflacionin prej 2,5% janë nënvlerësuar. Analistët ekonomikë në Anketën e fundit të Bankës Popullore të Maqedonisë (BPM) e rritën parashikimin për presionin e çmimeve në nivelin 3,6%, në kontrast me pritjet për inflacion prej 3,2% në anketën e mëparshme. Disa ekonomistë thonë se për shkak mosarritjes së objektivave buxhetore, ribalancimi i buxhetit është i pashmangshëm, por pyetja kryesore është se ku do të shkurtohet dhe ku do të shtohet, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Ekonomistët me vlerësime të reja, inflacioni më i lartë se ai i planifikuar, gjë që do të çojë në ribalancimin e buxhetit…
Veprimet e vazhdueshme luftarake në Lindjen e Mesme patën ndikimin e tyre në tremujorin e parë ekonomik, me inflacion më të lartë se sa që pritej. Analistët ekonomikë e potencojnë rrezikun e rritjes së mëtejshme të çmimeve, veçanërisht në transport dhe prodhim.
“Nëse konflikti nuk zgjidhet në një afat të shkurtër, ekziston rreziku që çmimet më të larta të naftës të ndikojnë në kostot e transportit dhe prodhimit. Kostot më të larta të energjisë dhe transportit do të ndikonin edhe në çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tjera, gjë që do të çonte në presione më të forta inflacioniste, duke pasur parasysh varësinë e ekonomisë vendase nga importet”, theksojnë analistët në Anketën e fundit të BPM-së, duke shpjeguar se rreziqet shtesë për çmimet janë ende të pranishme për shkak të luftës në Ukrainë.
Sipas analistëve ekonomikë, ky vit do të mbyllet me inflacion prej 3,6%, një nivel që është dukshëm më i lartë se niveli i parashikuar prej 2,5%. Ekonomistët thonë se parashikimet aktuale të buxhetit tashmë janë tejkaluar.
“Ribalanci i buxhetit për këtë vit është i sigurt. Qeveria do të duhet të krijojë hapësirë fiskale për masa, kryesisht për më të varfrit. Por, do të jetë shumë e rëndësishme që paratë të shpenzohen në mënyrë transparente, duke mos lënë hapësirë për korrupsion të mundshëm. Për fat të keq, pres që përsëri të shkurtohen shpenzimet kapitale, investimet publike”, thotë një nga ish-ministrat e Financave, Xhevdet Hajredini.
Sipas Hajredinit, masat duhet të jenë të “orientuara” drejt qytetarëve më të varfër dhe pensionistëve me pension më të ulët se 30.000 denarë.
“Paratë për masa konkrete mund të sigurohen përmes rialokimit të fondeve buxhetore, por mendoj se do të duhet të përdoret edhe hua shtesë. Deficiti, sipas mendimit tim, këtë vit do të jetë më i lartë se 3,5% që e planifikoi qeveria”, thotë Hajredini.
Qeveria ka njoftuar tashmë një ribalancim të buxhetit. Aktualisht nuk ka masa të synuara për kategoritë më të cenueshme të qytetarëve, por po mendohet se si të ulen çmimet e atyre produkteve për të cilat është përcaktuar inflacion dyshifror.
“Analizuam katër rrjete supermarketesh dhe çmimet e 55 produkteve, dhe në bazë të krahasimit që bëmë, arritëm në përfundimin se rritja e çmimeve ishte afërsisht 0,4%. Nga kjo analizë, kemi disa tregues për produkte të caktuara që i kanë rritur çmimet e tyre për disa për qind, gjegjësisht me një përqindje dyshifrore, për të qenë më i saktë, që do të thotë mbi 10%”, tha kryeministri.
Ndërkohë që çmimet po manipulohen, ekonomistët theksojnë se kategoria më e cenueshme e qytetarëve e ka gjithnjë e më të vështirë të jetojë.
“Qeveria e ka njoftuar tashmë ribalancin e buxhetit, por çfarë deri atëherë? Këto janë kohë krize dhe nevojiten masa urgjente për kategorinë më të cenueshme të qytetarëve. Nga cilat zëra buxhetorë do të sigurohen fondet është pyetja kyçe. Në këto raste, janë investimet publike ato që e pësojnë më shumë. Sipas mendimit tim, buxheti nuk është në gjendje të mirë financiare, por pavarësisht kësaj, nuk Kryeministrit në këtë moment nuk i konvenon që të bëjë ribalanc të buxhetit”, thotë profesori Vanço Uzunov.
Portalb.mk duke iu referuar të dhënave statistikore, ka njoftuar tashmë se në bazë vjetore, inflacioni i produkteve ushqimore është pothuajse 7%, te mishi dhe kafshët e gjalla 12,76%, te sheqeri, ëmbëlsirat 10,22%, ndërsa rritja e çmimeve të qumështit, produkteve të qumështit dhe vezëve në mars, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ishte 8,12%.