Andi Mustafaj ka njoftuar mbrëmjen e sotme vendimin për të lënë postin si drejtues i Departamentit Brain Gain në Partinë Demokratike. Përmes një postimi në Facebook, Mustafaj ka ndarë dhe mesazhin që iu ka dërguar më 5 mars, anëtarëve të departamentit arsyet për largimin nga detyra në nëntor të këtij viti. Ai thekson se nëse një drejtues administrativ qëndron shumë gjatë duke bllokuar mundësinë e garës, ikën kjo ndjenjë tek anëtarët duke rrezikuar vetë strukturën. Mustafaj shprehet se zgjodhi këtë kohë për të njoftuar vendimin e tij për të krijuar mundësinë që “kushdo dëshiron të kandidojë për drejtimin e Departamentit të ketë kohën e mjaftueshme të përgatitjes dhe projektimit të vetes në garë.”
Postimi i plotë: Të nderuar Miq, mendoj se koha është tashmë e përshtatshme që të ndaj me ju mesazhin që u kam dërguar anëtarëve të Departamentit Brain Gain më 5 Mars 2025 në lidhje me vendimin tim (si dhe arsyet) për të lënë Drejtimin e Departamentit në Nëntor të këtij viti. E theksoj rëndësinë e datës (kohë përpara se të fillonte fushata) për të mos lënë vend për asnjë keqinterpretim, keqpërdorim apo keqkuptim të këtij vendimi në dëm të demokratëve. Ky vendim ka qenë dhe është kontributi im i radhës për të dëshmuar se Partia Demokratike është shtëpia e atyre që duan të ndryshojnë Shqipërinë. Ju faleminderit. “Të nderuar anëtarë të Departamentit Brain Gain, Gjatë rrugëtimit tonë të përbashkët, jam munduar të krijoj kushtet që në çdo hap të jemi kundërshembulli që dëshirojmë të shohim në Shqipëri. Besoj se mund të themi me modesti që një gjë të tillë e kemi arritur për sa i përket forcës së grupit, krijimit të hapësirave, meritokracisë, frymës pozitive, betejës së ideve, lartësimit të simboleve etj. Edhe pse pak nga pak po afrohet një çështje thelbësore ku disa prej nesh kanë zgjedhur tashmë formën e tyre për të intensifikuar angazhimin politik, detyra ime si drejtues është të mbes i vëmendshëm ndaj ecurisë së departamentit dhe parimeve të tij. Ndaj, me qëllim garantimin e meritokracisë dhe transparencës, më duhet t‘i paraprij në kohë për secilin prej jush një vendimi të rëndësishëm: Hapja e rrugës për drejtimin e Departamentit në Nëntor të këtij viti. Përzgjedhja e këtij muaji përputhet me 3 vite të drejtimit tim, kohë të cilën, për një post të tipit administrativ (ndryshe nga nje post politik) e ndiej si të mjaftueshme për të zbatuar idetë dhe vizionin tim, si dhe për të krijuar dinamika pa rënë pre e monotonisë apo përvetësimit të strukturës. Meritokracia nënkupton mundësinë për të arritur majat dhe nëse një drejtues administrativ qëndron shumë gjatë duke bllokuar mundësinë e garës, ikën kjo ndjenjë tek anëtarët duke rrezikuar vetë strukturën. Zgjodha pikërisht tani për t’ju njoftuar për këtë vendim timin, jo vetëm për ta shkëputur dhe përjashtuar çdo lidhje të këtij vendimi me cilëndo qoftë e ardhmja e hapave që kam ndërmarrë në rrugëtimin tim politik, por më e rëndësishmja, për të krijuar mundësinë që kushdo dëshiron të kandidojë për drejtimin e Departamentit të ketë kohën e mjaftueshme të përgatitjes dhe projektimit të vetes në garë. Për rrjedhojë: Në shtatorin që vjen do të konfirmojmë edhe një herë anëtarësinë siç e bëmë vitin e shkuar (standard ky që duhet trashëguar). Në tetor do të krijojmë kushte të fushatës ku mund të bëjmë debate, prezantime etj. Në nëntor do të zhvillojmë zgjedhjet për drejtimin e Departamentit. Ju falënderoj edhe një herë të gjithëve për këtë rrugëtim të mrekullueshëm. Puna vazhdon. Krenarë me të gjithë ju! Me respekt, Andi”