Artistët e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore po e kalojnë këtë verë në një tur të ngjeshur artistik, brenda dhe jashtë vendit. Me një kalendar më të ngjeshur se në sezonet e mëparshme, ansambli ka performuar deri tani në skena të hapura në Greqi, Zvicër, në Mal të Zi, në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë.
“Shqipëria tashmë është një destinacion turistik, dhe ne jemi aty ku është publiku, me trashëgiminë tonë shpirtërore.”, – thotë Sokol Marsi, drejtues i Ansamblit.
Programi artistik i këtij viti përfshin të gjitha zonat e vendit si dhe një repertor nga Kosova.
“Një trupë prej 25 deri në 30 artistë performon këngë, valle dhe pjesë instrumentale, me theks të veçantë në kostumografinë dhe etnografinë që shoqëron çdo shfaqje. Kemi pasuruar repertorin me materiale të reja. Në çdo qytet ku kemi shkuar, publiku ka kërkuar më shumë, ndaj kemi formatuar shfaqjet, që të zgjasin mbi një orë.”, – vijon Marsi.
Së fundi, pas pjesëmarrjes në festivalin e polifonisë në Pilur të Vlorës, turi do të vijojë brenda vendit. Koncerti i radhës do të mbahet më 5 gusht në Elbasan, për të vijuar në Vlorë më 11 gusht, në Fier një ditë ma pas, në Laç më 14 gusht, në Kavajë më 15 gusht. Ky tur përmbyllet në Vlorë më 24 gusht, në festivalin “Vajzë Fest”.
Më pas, do të vijojë një kalendar i ngjeshur edhe në vjeshtë dhe dimër, ku Ansambli do të rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.