Nga përtej oqeanit, tek vendet skandinave e deri nga Italia fqinje. 25% e pronave të shitura në 5 vitet e fundit u blenë nga shtetas të huaj.
“Në Shqipëri, pjesa më e madhe që blejnë janë shqiptarët, por edhe të huajt që zënë një vend shumë të rëndësishëm. Të huajt blejnë, sepse për ata është akoma një treg shumë konkurrues. Blejnë polakët, ukrainasit, belgët, vendet nordike”, thotë Ervin Demirxhiu, ekspert i tregut të pasurive të paluajtshme.
Shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se brenda 1 dekade të huajt kanë blerë 1.6 miliardë euro prona.
Ekspertët e tregut pohojnë se Tirana preferohet për investim, ndërsa bregdeti për të jetuar.
“Ka dy kategori që blejnë. Blejnë për të investuar kryesisht në qendër të Tiranës, por blejnë mosha e tretë për të jetuar vetë dhe preferojnë bregdetin”, tha Demirxhiu.
Blerja e apartamenteve nga të huajt është edhe një nga faktorët kryesorë që po shtrenjton çmimet e pronave në vend, pasi ata blejnë pa negociuar.
“Çmimet vazhdojnë me po të njëjtat trende që kanë pasur. Nëse do të na pyesje vjet në këtë periudhë, mendonim se 2025-a do të kishte një tkurrje me çmimet, por jemi në të njëjtin trend rritës”, thotë eksperti.
Edhe pse Tirana është e ‘pakapshme’ me çmime nga 1000 euro/m² periferia e deri në 5000 euro/ m² qendra, shtrenjtimi nuk pritet të ndalet këtu.
Vlerat e reja të referencës për gjithë Shqipërinë do të pasohen nga një tjetër valë çmimesh stratosferike.
“Mendoj se do të ndikojnë në rritjen e mëtejshme të çmimeve, pasi çdo taksë që i shtohet shitësit do të jetë një barrë për blerësin dhe do të reflektohet në çmim”, tha ai.
Çmimi për metër katror që do të përdoret si referencë, në Kavajë do të rritet mesatarisht 52%, në Durrës me 61%, Sarandë 86%, Vlorë me 88% dhe në Himarë rritja mesatare do të jetë 111%.
Këto çmime e zbehin edhe më shumë mundësinë e blerjes së një banese, përmes kursimeve apo një kredie bankare.