Dy persona janë arrestuar nga policia e Tirana, pasi dyshohen për vjedhjen e një kasaforte me sende me vlerë në një banesë në zonën e Kinostudios.
Sipas burimeve zyrtare, në pranga ranë Andi Hasani, 45 vjeç, dhe Agron Goxhaj, 48 vjeç, të cilët dyshohet se kanë kryer edhe vjedhje të tjera në Durrësi dhe në zona të tjera të kryeqytetit.
Hetimet paraprake tregojnë se autorët kanë vëzhguar lëvizjet e pronarit të banesës dhe, pasi ky është larguar, kanë hyrë brenda duke përdorur një çelës të modifikuar. Ata kanë marrë kasafortën dhe më pas e kanë hapur, duke përvetësuar para dhe sende me vlerë, përfshirë bizhuteri.
Brenda kasafortës është gjetur edhe një armë zjarri me leje, çka ka bërë që të dyshuarit të rikthehen në banesë për ta lënë atë aty. Në momentin e rikthimit, ata janë përballur me praninë e policisë, e cila ishte njoftuar nga pronari, dhe janë arrestuar në tentativë për t’u larguar.
Gjatë kontrollit në ambientet e përdorura nga njëri prej të arrestuarve, policia ka zbuluar një punishte për modifikimin e çelësave, që dyshohet se përdorej për realizimin e vjedhjeve me të njëjtën skemë.
Operacioni policor, i koduar “Access”, u finalizua nga strukturat e Komisariatit Nr. 4, ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestruan kasaforta, sende me vlerë, automjete dhe një motomjet.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.