Nga rrëshqitja e dheut ditën e djeshme ne lagjen Veternik, një person ka vdekur dhe një tjetër është lënduar rëndë.
Në raportin e policisë thuhet se lidhur me rastin një person është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
“ASGJËSIM, DËMTIM OSE HEQJE E PAISJEVE MBROJTËSE- Rr. Gjilani, Prishtinë / 05.04.2025 – 12:00. Është raportuar se gjatë punimeve te një objekt në ndërtim është shembur dheu dhe i ka nxënë dy persona meshkuj kosovar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe urgjenca të cilët kanë arritur që ti nxjerrin personat nga gropa ku ju është ofruar tretman mjekësor, mirëpo njëri nga personat nuk ka arritur që tu mbijetojë plagëve dhe nga stafi mjekësor është konstatuar vdekja e tij, ndërsa personi tjetër është dërguar në QKUK për trajtim të mëtutjeshme. Lidhur me rastin është arrestuar një mashkull kosovar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.
Dje policia njofoi se viktima është rreth 40 vjeç.
Nga Emergjenca e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, konfirmuan se punëtori i lënduar është jashtë rrezikut për jetën, ndonëse me lëndime serioze.
Prokuroria Themelore e Prishtinës njoftoi se ka hapur rast për “asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës”.
“Prokurori i shtetit në koordinim me Policinë e Kosovës ka nisur një hetim mbi vdekjen, bazuar në nenin 358 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe me kujdes të shtuar po shqyrtojnë të gjitha aspektet e rastit për shqyrtimin e plotë të rrethanave kësaj ngjarje tragjike”. – Prokuroria Themelore në Prishtinë.
/