Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka arrestuar një zyrtar policor të premten pas një incidenti brenda hapësirave të Stacionit Policor “Jug” në Prishtinë.
Hetuesit e IPK-së i janë përgjigjur thirrjeve pasi është raportuar se një zyrtar policor është sulmuar fizikisht nga kolegu i tij brenda orarit të punës.
Zyrtari policor është ndaluar për 48 orë. Është rekomanduar suspendimi i tij.
“Pas ndërmarrjes së veprimeve fillestare hetimore, është arrestuar një zyrtar policor i cili shërben në Stacionin Policor Jugu – Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë. Arrestimi i tij është bërë më dyshimin se i njëjti me veprimet e tij ka kryer veprën penale “Sulm” kurse të njëjtit me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së dhe në interes të hetimit IPK ka rekomanduar edhe suspendimin e këtij zyrtari policor. Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti”, ka njoftuar IPK-ja.