Arsimi profesional i Kosovës dhe sistemi dual që ndërthur mësimin me praktikën ka bërë që shumë të rinj nga Shqipëria e veriut të hedhin sytë ngta Prizreni. Dhjetra nxënës nga Kukësi, Hasi dhe Tropoja prej kohësh tashmë mësojnë në Qendrën e Kompetencës “11 Marsi” në qytetin kosovar.
“Këtë vit kërkesa më e madhe ka qenë në profilin e automekanikës, ku ofrohet edhe arsimi dual. Nxënësit mësojnë tri ditë në shkollë dhe dy ditë në biznese, ku paguhen me një shumë simbolike. Kemi marrëveshje bashkëpunimi me shumë kompani të Prizrenit. Edhe pse nuk kemi marrëveshje mes ministrive të Kosovës dhe Shqipërisë, nxënësit nga Shqipëria i nostrifikojnë dokumentet dhe janë të barabartë me të tjerët. Arsimi është publik dhe pa pagesë. Po rritet ndjeshëm interesimi për profilet duale, sepse nxënësit shumë shpejt gjejnë punë pas përfundimit të shkollës”,- shprehet Arben Selimi, Drejtor në Qendrën e Kompetencës “11 Marsi”.
Vetë nxënësit shprehen të kënaqur me zgjedhjen e tyre, ndërsa kërkesën e kanë për qeverinë shqipatre, një linjë direkte Kukës-Prizren, që të mund t’ua lehtësontë rrugën drejt dijes.
“Jam në vitin e dytë, në profilin dizajn-interier. Këtë drejtim nuk e kishte Kukësi, prandaj erdha këtu. Shkolla është publike, nuk paguajmë asgjë, është shumë e mirë dhe e displinuar. Më sjell babai çdo të hënë dhe më merr të premten, sepse nuk ka transport publik. Do ishte shumë mirë të kishte një linjë Kukës–Prizren, sepse jemi afër. Me këtë diplomë mund të punoj ose të vazhdoj fakultetin, pasi njihet edhe në vendet e Europës.Jetoj me qira ne Prizren”, shprehet Fjolla Elezi, nxënëse nga Kukësi.
“Jam në vitin e dytë për automekanikë. Kemi mësim dual, dy ditë në shkollë, tre ditë në praktikë. Nga kompania ku punojmë na ofrohet ushqim dhe një pagë mujore. Jetoj në Prizren me qira, që e mbuloj pjesërisht nga paga dhe familja”,- shprehet Orges Hasanaj, nxënës nga Tropoja.
“Jam në vitin e tretë për dizajn grafik. Prizreni është afër, por duhet të jetoj me qira. Do ishte shumë mirë të kishte linjë direkte Kukës–Prizren. Kështu shumë nxënës do mund të jetonin në shtëpitë e tyre dhe të vinin çdo ditë në shkollë”,- thotë Samet Sefolli, nxënës nga Hasi.
Qendra e Formimit profesional ka 18 degë, çka ka sjell dhe mundësi zgjedhjeje jo vetëm për ata që ndjekin shkollën e mesme, por dhe për të rinj të tjerë që janë në kërkim të një profesioni të njohur ndërkombtarisht.
“Krahas nxënësve të rregullt, kemi edhe të rritur që ndjekin arsimin joformal, madje edhe nga jugu i Shqipërisë. Arsimi profesional është tërheqës sepse ofron kushte më të mira dhe diplomë të njohur ndërkombëtarisht”,- deklaron Dashnor Kamberi, Zv/Drejtor për çështje mësimore:
Qendra Profesionale e Prizrenit tashme mbetet një model i bashkëpunimi ndërkufitar i cili funksionon pa një marrveshje, por me vullnet dhe vizion për të ardhmen.