Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka folur edhe për artikullin kundër UÇK-së ku ai kishte qenë bashkëautor, gjë për të cilën ai kërkoi falje ndërsa tha se kurrë më parë se kishte lexuar atë artikull, ani pse bëhej fjalë për 13 vite, shkruan Reporteri.net.
Sipas tij, ai ka përgjegjësi veç për kapitullin 3, dhe se nuk e kishte ditur që ai artikull ishte publikuar, e që siç tha ai kishte menduar se do të publikohej i veçantë për fushën ku dhe ai “ishte ekspert”.
“Kjo ka ndodhur në vitin 2012 sa kam qenë student. Autorja është deklaruar që veç kapitulli 3 më përket. Kapitullin 3 ka qenë fusha ku unë kam studiuar dhe jam ekspert i çështjes. Asnjëherë s’kam bërë punime shkencore për ndonjë fushë tjetër. Prej meje sa për sqarim më është kërkuar një kapitull për fushën që ke hulumtime. E kam dorëzuar me bindjen që ka për tu botuar kapitull i veçantë që e mbulon fushën time, por jo se do të del bashkëautorësi me dikë tjetër. Në asnjë moment kurrë s’kisha pranuar me qenë bashkëautor ku flitet ashtu me UÇK-në”, tha Basha.
Ai theksoi se ka qenë i pavëmendshëm, ka qenë student, ndërsa kërkoi dhe falje.
“Asnjëherë në asnjë moment nuk e kam ditur që do të publikohet si bashkëautorësi. Kurr në jetë se kom lexu artikullin. Hera e parë kur e kom lexu kur dul këtu artikulli komplet”, tha Kryetarparlamentari.
Basha shtoi se ka kërkuar tashmë që artikulli të hiqet fare, dhe të mos figurojë as emri i tij në atë punim.
“PO pajtohem që do duhej të isha më i kujdesshëm. Sikur ta kisha lexu, do të kisha reaguar menjëherë dhe se kisha lënë 13 vjet. Mund të thuash ke qenë neglizhent, i pakujdesshëm dhe i pavëmendshëm. Po pajtohem. Në asnjë moment se kam parë artikullin që ka dalë”, tha mes tjerash Basha
“Kërkoj falje për pakujdesinë timë. Kam qenë i pavëmendshëm i pakujdesshëm. Kam dërguar email ku kam kërkuar që të tërhiqet edhe kapitulli edhe emri im nga punimi”, tha ai.