Aleanca për Shqiptarët ka reaguar lidhur me inaugurimin e një institucioni publik ku, sipas saj, tabela zyrtare është vendosur vetëm në gjuhën maqedonase, duke e cilësuar këtë si shkelje të ligjit dhe përjashtim të gjuhës shqipe nga përdorimi zyrtar në hapësirën publike.
Në reagimin e saj, ASH shprehet se ky rast nuk mund të konsiderohet gabim teknik, por përfaqëson shkelje të hapur të detyrimeve ligjore dhe cenim të të drejtave gjuhësore të qytetarëve shqiptarë. Sipas tyre, mungesa e gjuhës shqipe në tabelën e institucionit përbën fyerje ndaj komunitetit shqiptar dhe tregon mosrespektim të parimeve të dygjuhësisë.
Partia thekson se përgjegjësi për këtë situatë mban ministri Azir Aliu, si përfaqësues i qeverisë dhe si person përgjegjës për institucionet që lidhen me dikasterin e tij. ASH vlerëson se detyra e tij është të sigurojë zbatimin e plotë të ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe jo të pranojë ose të mos reagojë ndaj rasteve ku ky ligj shkelet.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se pjesëmarrja e ministrit në ceremoninë inauguruese pa reaguar ndaj mungesës së gjuhës shqipe nuk mund të interpretohet si qëndrim neutral, por si miratim i heshtur i shkeljes së ligjit.
Aleanca për Shqiptarët kërkon që tabela aktuale të hiqet menjëherë dhe të zëvendësohet me një emërtim zyrtar në të dy gjuhët, në përputhje me obligimet ligjore për dygjuhësinë në institucionet publike.
Gjithashtu, partia i kërkon ministrit Azir Aliu të dalë me shpjegim publik dhe të sqarojë se si është lejuar inaugurimi i një institucioni publik ku, sipas tyre, gjuha shqipe është injoruar plotësisht.
ASH i bën thirrje edhe Inspektoratit për përdorimin e gjuhëve që të ndërmarrë masa urgjente ndaj të gjithë zyrtarëve që kanë lejuar këtë situatë, duke theksuar se institucionet duhet të zbatojnë ligjin pa vonesa dhe pa justifikime.
Në fund të reagimit, Aleanca për Shqiptarët thekson se përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet publike nuk është çështje vullneti politik apo zgjedhje e rastit të ministrave dhe koalicioneve qeverisëse, por e drejtë e garantuar me ligj që duhet të respektohet plotësisht dhe pa kompromis.
“Ky nuk është gabim teknik. Është shkelje e hapur e ligjit, përjashtim i gjuhës shqipe nga hapësira publike dhe fyerje ndaj qytetarëve shqiptarë.
Për këtë skandal, ministri Azir Aliu mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë politike dhe institucionale. Si përfaqësues i Qeverisë, detyra e tij nuk është të heshtë dhe të duartrokasë projekte që shkelin standardet ligjore të dygjuhësisë, por të sigurojë zbatimin e ligjit në çdo institucion publik që lidhet me dikasterin që ai drejton.
Pjesëmarrja e tij në këtë ceremoni, pa reagim dhe pa kërkuar respektimin e gjuhës shqipe, nuk është neutralitet. Është miratim i heshtur i një shkeljeje të dukshme.
Aleanca për Shqiptarët kërkon që tabela të hiqet menjëherë dhe të zëvendësohet me emërtim zyrtar dygjuhësh, pa vonesa dhe pa arsyetime.
Kërkojmë nga ministri Azir Aliu të japë shpjegim publik se si lejoi inaugurimin e një institucioni publik ku gjuha shqipe është injoruar plotësisht.
Kërkojmë gjithashtu nga Inspektorati për përdorimin e gjuhëve të marrë masa urgjente ndaj çdo zyrtari që ka lejuar këtë shkelje. Është koha për punë, jo për gjumë institucional.
Gjuha shqipe në institucionet publike nuk është privilegj që varet nga vullneti politik i ministrave apo partnerëve të koalicionit. Është e drejtë e garantuar me ligj dhe duhet të respektohet pa kompromis”, thonë nga ASH.