Aleanca për Shqiptarët, krahu i udhëhequr nga Ziadin Sela, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit rreth projektit të Korridorit 8, duke akuzuar se bllokimi dhe devijimi i këtij aksi strategjik është bërë me urdhër të drejtpërdrejtë të presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe është zbatuar nga Qeveria e kryeministrit Hristijan Mickoski. Në reagimin e publikuar, kjo parti thekson se pretendimet e saj mbështeten në një deklaratë zyrtare të ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës së Serbisë, Goran Vesić, e transmetuar nga agjencia bullgare e lajmeve BGNES në tetor të vitit 2024.
Sipas kësaj deklarate, Vesiç e ka cilësuar si “fitore të Serbisë ndaj Perëndimit” devijimin e Korridorit 8 dhe ridestinimin e investimeve drejt Korridorit 10, i cili lidh Beogradin me Athinën dhe, siç thuhet, e vendos Serbinë në qendër të zhvillimeve rajonale. Aleanca për Shqiptarët pretendon gjithashtu se, sipas raportimit të BGNES, ministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikoloski, ka tentuar që fondet ndërkombëtare të destinuara për Korridorin 8 të ridestinohen në funksion të Korridorit 10.


