Si asnjëherë tjetër këtë sezon, grupi i futbollistëve të Vllaznisë është i plotë. Me shkodranët që në epilogun e kampionatit nuk vuajnë as nga pezullimet dhe as nga dëmtimet e lojtarëve të tyre.
Fakt që gëzon patjetër trajnerin Brdariç, i cili ka mundësi zgjedhjeje dhe po ashtu mundësi interpretimi të lojës. Kështu trajneri gjerman në prag të ndeshjes me Elbasanin, duket se do i besojë formacionit më të mirë të tij dhe futbollistëve që kanë luajtur në vazhdimësi këtë edicion.
Nga porta do e nisë Jukaj, që nga ndeshja në ndeshje është një siguri për ekipin kuqeblu. Në mbrojtje nga e djathta do jetë Gurishta e ndërsa në të majtë pritet Jago. Në qendër të repartit të prapavijës do jenë të vendosur dyshja Stojanoviç-Bajrami. Me këtë të fundit që duket se fiton balotazhin me Repajn.
Në mesfushë të sigurt duken Deliu dhe Krymi, e ndërsa ka një “rivalitet” mes Qatos dhe Salës, ku duket se kuçovari falë edhe paraqitjes së fundit ndaj Dinamos do e nisë nga minuta e parë.
Asgjë nuk ndryshon as në vijën sulmuese, me Balajn që udhëheq manovrën kuqeblu. E ndërsa në mbështetje të kapitenit, do jenë edhe Dodaj e Mala nga krahët.