Një atentat ka tronditur Lezhën ditën e sotme (rreth orës 14:50), ku burrë e grua janë ekzekutuar me breshëri plumbash në Balldren. Viktimë ka mbetur Kreshnik Mujeci me bashkëshorten Gentjanën, 32 vjeçe të cilët kanë qenë duke lëvizur në aksin Balldre-Torovicë, kur autorët i kanë zënë në pritë dhe kanë qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të mjetit Audi Q7.
Policia thotë se autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes pa lënë asnjë gjurmë dhe se po punohet për identifikimin e tyre.
“Rreth orës 14:50 në dalje të fshatit Balldren, Lezhë, në rrugën Balldren-Torrovicë, në rrethana ende të paqarta gjatë lëvizjes, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit Audi, me drejtues shtetasin K. M., 39 vjeç, që udhëtonte sëbashku me bashkëshorten e tij, shtetasen G. M., 32 vjeçe, të cilët kanë humbur jetën në vendngjarje. Shërbimet e policisë pas njoftimit të marrë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet në zonë për lokalizimin dhe kapjen e autorëve”, thuhet në njoftimin e policisë
Hyrja e Balldrenit, ku ka ndodhur edhe atentati, është një zonë e banuar dhe me biznese, dhe pritet që grupi hetimor të kqyrë pamjet e kamerave të sigurisë për të ndërtuar kronologjinë e plotë të ngjarjes dhe për të shkuar drejt identifikimit të autorëve.
Motivet e ngjarjes janë ende të paqarta, por nuk përjashtohet as pista e hakmarrjes, pasi viktima Kreshnik Mujeci është akuzuar për vrasje në vitin 2016, por deri më tani rezulton të mos jetë dënuar.
Kush është Kreshnik Mujeci?
Në vitin 2017, ai dhe vëllai i tij u arrestuan si të dyshuar për vrasjen e Genc Mhillajt, i njohur edhe si Gent Pjetri. Sipas hetimeve të asaj kohe, vëllezërit Lini dhe Kreshniku, në bashkëpunim me kushëririn Jozef Mujecin i kishin prerë rrugën viktimës dhe e kishin qëlluar për vdekje pas një konflikti për motive të dobëta. Por çështja mori kthesë në gjykatë. Më 27 nëntor 2018 Shkalla e Parë e Gjykatës së Shkodrës e shpalli të pafajshëm Jozef dhe Kreshnik Mujecin për vrasjen e Genc Mhillajt. Më 6 nëntor 2019 Gjykata e Apelit Shkodër vendosi të mos pranojë ankimin e prokurorisë për vendimin e Shkallës së Parë, ndërsa Gjykata e Lartë e ktheu çështjen për rigjykim në Apel më 31 tetor 2024.
Lajmi në përditësim….
——————————-
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Atentati në Lezhë/ Momenti kur trupat e pajetë të 2 viktimave nxirren nga makina e bërë shoshë nga plumbat
Policia ka arritur të nxjerrë nga makina e bërë shosh nga plumbat, viktimat Kreshnik Mujecin dhe bashkëshorten e tij, Gentjana Mujecin. Këta dy të fundit humbën jetën pas atentatit me armë zjarri në Balldren të Lezhës.
K.M/Shqiptarja.com
Të akuzuar për vrasje, Gjykata e Shkodrës i shpalli të pafajshëm Kreshnik Mujecin dhe vëllanë e tij! Gjykata e Lartë e ktheu çështjen për rigjykim
Kreshnik Mujeci, i cili mbeti viktimë e atentatit të sotëm në Lezhë bashkë me gruan e tij, në vitin 2017, sëbashku me vëllanë e tij, u arrestuan për vrasjen e Genc Mhillit në 2016-ën.
Por më 27 nëntor 2018 Shkalla e Parë e Gjykatës së Shkodrës e shpalli të pafajshëm Lin dhe Kreshnik Mujecin për vrasjen e Genc Mhillaj, duke pretenduar për mungesë provash.
Më 6 nëntor 2019 Gjykata e Apelit Shkodër vendosi të mos pranojë ankimin e prokurorisë për vendimin e Shkallës së Parë, ndërsa Gjykata e Lartë e ktheu çështjen për rigjykim më 31 tetor 2024.
Atentati me 2 viktima, drejtori i Policisë Lezhë: Është qëlluar me breshëri plumbash, po fiksojmë çdo provë nga vendi i ngjarjes
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë së Lezhës, Arben Nasufi, ka folur për atentatin e ndodhur në Lezhë, ku mbetën viktima Kreshnik Mujeci dhe gruaja e tij.
Përmes një deklarate për mediat, Nasufi tha se ndaj Audit Q7 me të cilin udhëtonin dy viktimat, është qëlluar me breshëri armësh zjarri.
Po ashtu, Nasufi deklaroi se është ngritur një grup hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, që po punon për sigurimin e të gjitha provave nga vendi i ngjarjes dhe zbardhjen e plotë të dinamikës së vrasjeve.
“Është konstatuar se gjatë lëvizjes së një mjeti, ai është qëlluar me breshëri armësh. Mjekët kanë konfirmuar për humbjen e jetëve të dy personave, një burrë e një grua. Lajmi është shumë i rëndë. Nën drejtimin e prokurorit është ngritur grupi hetimor, po kryhen të gjitha veprimet operative në terren. Po punojmë intensivisht, po fiksojmë çdo provë në vendngjarje, me qëllim hetimin e plotë, zbardhjen e të gjithë dinamikës dhe zbulimin e autorëve dhe vënien e tyre para përgjegjësisë”, tha mes të tjerash Nasufi.
U vra sot bashkë me të shoqen, Kreshnik Mujeci apelonte për mbështetjen e banorëve të Rrjollit: Mos të lejojmë t’u marrin tokat
39-vjeçari Kreshnik Mujeci, i cili u vra sot në një atentat me armë zjarri bashkë me të shoqen teksa udhëtonin me makinë, rezulton të ketë qenë një prej mbështetësve më të spikatur të banorëve të Rrjollit, të cilët prej disa muajsh po protestojnë kundër ndërtimit të resortit të botuesit dhe biznesmenit Bashkim Ulaj.
Në një video që po qarkullon në rrjetet sociale, Mujeci duket duke bërë thirrje që sa më shumë qytetarë të protestojnë krah banorëve të Rrjollit, në mbrojtje të tokave të tyre, për të cilat pretendojnë se po uzurpohen padrejtësisht nga biznesmeni Ulaj.
“I bëj thirrje gjithë Shqipërisë: Amanet o gjaku i shqiptarit, mos t’i lëmë këta këlyshë të luajnë kufinjtë e të parit. Të mbetet histori djal pas djali. Mbani mend çfarë po ju thotë malësori i Kelmendit”,- shprehej në një video Mujeci.