Drafti i Kodit të ri Penal ka ngjallur shumë diskutime në sferën publike dhe politike. Ky draft ka 952 nene, më shumë se dyfish nga nenet që disponon Kodi aktual.
Avokati Saimir Vishaj, i ftuar në emisionin Studio Live në Report Tv me gazetarin Ermal Qorri, ka evidentuar disa gabime terminologjike që janë përdorur.
Një e tillë është edhe fjala “zor”.
“Ka lapsus jo vetëm në formulim, ka lapsus dhe në terminologji, nuk janë të gjuhës. Ne kemi dispozitë për shembull ‘martesa me zor’. Fjala zor në kuptimin shqiptar është zorrë uji, është zorrë e një organi, nuk mundesh të përdorësh në terminologji juridike fjalën zor. Ne zorën e kemi në kanosje, e kemi në dhunë, janë terminologji tipike të jurisprudencës. Nxitimi që i është bërë grupit…”.
Avokati Vishaj ka kritika edhe për grupin e punës, që sipas tij vetëquhen ekspertë. Nuk dihet se kush e ngriti këtë grup, si u zgjodhën dhe përse ka patur nxitim në hartimin e draftit.
“Unë kam vërejtjet e mia, sepse po anashkalojmë kush e ngriti këtë grup? Ky është grup të vetëquajtur ekspertë që nuk mund të bënin këto lloj gabimesh. E dyta, ky nxitim për 6 muaj…Kush i paguan? Si u zgjodhën? Nuk janë këta penalistët më të mirë. Ka shoqata, ka gjyqtarë shumë të mirë, gjyqtarë karriere, ka botues tekstesh, ka profesorë në jurisprudencën e penales të cilët duhet të ishin bërë pjesë e tavolinës ose dhënies së mendimit të këtyre projekteve. Të ngrihen 5-7 veta sa është një komision e ta marrë përsipër drejtuesi i Shkollës së Magjistraturës, për mua është gabim. Një Kod nuk i shërben Arben Rakipit, ky Kod është për të gjithë shqiptarët, edhe për shtetas të huaj. Është një Kod që përfshin një gamë të tërë dhe kërkon mendim nga shumë specialistë. Nuk mund të nxitohemi për ta çuar për miratim”.
Kjo ishte dalja e parë në media e avokatit Saimir Vishaj pas rekuperimit nga një sëmundje e rëndë, me të cilën fitoi betejën. Avokati Vishaj kishte rënë në koma dhe kurohej në SHBA. Tashmë, siç ka thënë edhe ai vetë pak kohë më parë në rrjetet sociale, “e mundi sëmundjen e mallkuar”.