Sapo vendimI i kësaj të premteje i Kushtetueses të botohet në Fletoren Zyrtare, zëvendës kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku është e lirë të rikthehet në zyrën e saj.
Gjykata arriti në përfundimin se “vazhdimi i masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, njëkohësisht zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, rrezikon të sjellë pasoja që prekin interesat shtetërorë gjatë ushtrimit të kompetencave kushtetuese të pushtetit ekzekutiv në drejtim të përcaktimit të politikave të përgjithshme shtetërore.”
Tre gjyqtarë, Asim Vokshi, Ilir Toska dhe Marsida Xhaferllari, ishin kundër pushimit të efekteve të pezullimit të Ballukut. Sipas tyre:
“pezullimi i vendimeve gjyqësore të shkallës së parë, që presin të shqyrtohen në apel shkakton pasoja të tilla, që jo vetëm nuk zgjidhin ndonjë mosmarrëveshje kushtetuese, por dëmtojnë ekuilibrin e drejtë kushtetues që duhet të ekzistojë midis interesave që janë të pranishëm në çështjen konkrete (nga njëra anë miradministrimi dhe pavarësia e pushtetit gjyqësor, ndërsa nga ana tjetër ushtrimi i rregullt i kompetencave nga organet kushtetuese, Kryeministri, Këshilli i Ministrave, Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata e Posaçme).”
Kryeministri Rama i cili që në momentin e parë foli për një ndërhyrje brutale të një pushteti si ai gjyqësor, në kompetencat e një pushteti tjetër, si ai ekzekutiv, mund t’i gëzohet kështu një suksesi të parë.
Më herët, trupa e 8 anëtarëve aktualë të Gjykatës Kushtetuese, po me shumicë votash, 5 me 3, kishte vendosur edhe kalimin për shqyrtim të ankimit të Ramës, duke e legjitimuar atë si palë në proces.
“Me shumicë votash, kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike për shkak të interesit të lartë publik që ka kjo çështje dhe thirrjen në cilësinë e subjekteve të interesuara të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Kuvendit të Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës”, njoftoi Gjykata Kushtetuese.
Seanca publike u caktua të mbahet më 22 janar, nga ora 10:00 për shqyrtimin e ankimit, për të cilin do të shprehet nëse GJKKO ka fuqi për pezullimin e një anëtar të Këshillit të Ministrave. Në këtë seancë, përveç qeverisë, Kushtetuesja ka thirrur edhe përfaqësuesë nga Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme, si dhe nga parlamenti e Presidenca si subjekte të interesuara.
Pezullimi i vendimit të GJKKO-së që e rikthen në detyrë Ballukun, nuk prek masën tjetër të sigurimit ndaj saj, atë të ndalimit të daljes jashtë shtetit, masë kjo e paankimuar nga qeveria. Pasaporta e zv/Kryeministres vijon të jetë e bllokuar.
Gjykata Kushtetuese, e cila në kohën e seancës më 22 janar do të ketë drejtues të ri, do duhet të zgjidhë konfliktin e kompetencave GJKKO-Këshilli i Ministrave, pra nëse Gjykata e Posaçme ka ekskluzivitet për të pezulluar nga detyra një anëtar qeverie. Kjo është vetëm një prej pikave të ankimit të Ramës, i cili shfuqizimin përfundimtar të vendimit të GJKKO-së.
Në ankim, kryeministri i kërkon Gjykatës Kushtetuese të interpretojë dhe nenin 103 të Kushtetutës, i cili i njeh anëtarit të Qeverisë imunitetin e deputetit.
Më 20 nëntor, Gjykata e Posaçme pezulloi nga detyra Belinda Ballukun në 2 pozicionet e saj qeveritare, duke i ndaluar gjithashtu të drejtën për të dalë jashtë vendit. Ajo është marrë e pandehur për procedurat në tenderin e tunelit të Llogorasë dhe është nën hetim për tenderin e Lotit 4 të Unazës së Madhe. Në të dy rastet, dyshohet se fituesi është paracaktuar.
Balluku u rikthye në detyrë, Tedi Blushi: Provë e kapjes së drejtësisë nga Rama! Gjykata Kushtetuese po mbron narkoshtetin
Blushi deklaron se Partia e Lirisë dhe ish-Presidenti Ilir Meta kanë paralajmëruar prej kohësh se kapja e Gjykatës Kushtetuese do të sillte pasoja të rënda për vendin. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese nuk po mbron më Kushtetutën, por narkoshtetin.
‘Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese për rikthimin e Belinda Ballukut në detyrë është një tjetër provë në dritë të diellit e kapjes së plotë të sistemit të drejtësisë nga Edi Rama. Partia e Lirisë dhe Presidenti Ilir Meta prej kohësh kanë paralajmëruar se kapja e Gjykatës Kushtetuese do të sillte pasoja shumë shumë të rënda për vendin.
Sot, ato paralajmërime u materializuan me brutalitet, një gjykatë që duhej të ishte barriera e fundit ndaj abuzimit të pushtetit është shndërruar në një instrument zyrtar të mbrojtjes politike, pandëshkueshmërisë dhe garantimit të imunitetit politik për korrupsionin e përbindshëm të Edi Ramës. Gjykata Kushtetuese nuk po mbron më Kushtetutën, por Narkoshtetin.
Siç e tha qartë edhe McGonigal, “Ramaforma” ishte një “mundësi e madhe” vetëm për Edi Ramën dhe ndërkombëtarët e korruptuar prej tij, dhe që po konfirmohet çdo ditë se është një humbje shumë e madhe për popullin shqiptar’, shkruan ai.
Belinda Balluku kthehet në detyrë, zbardhet vendimi i Kushtetueses
Vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese:
Në datën 12.12.2025 mori në shqyrtim kërkesën paraprake të paraqitur nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë (kërkuesi) për pezullimin e zbatimit të vendimit nr. 118, datë 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKКОja e Shkallës së Parë) për pjesën që ka disponuar vendosjen dhe vazhdimin e masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, sipas nenit 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar (ligji organik i Gjykatës). Mbledhja e Gjyqtarëve, bazuar në nenin 45, pika 1, të ligjit organik të Gjykatës dhe nenin 27 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese (Gjykata),
VËREN:
1. Në datën 21.11.2025 kërkuesi, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, i është drejtuar Gjykatës me kërkesë, duke pretenduar: (i) zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit e Këshillit të Ministrave dhe GJKKO-së së Shkallës së Parë; (ii) shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së së Shkallës së Parë që ka vendosur masën ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, shtetases Belinda Balluku dhe pezullimin e këtij vendimi; (iii) interpretimin e pikës 3 të nenit 103 të Kushtetutës.
2. Në mbështetje të kërkesës për pezullim, kërkuesi ka pretenduar se vendimi i GJKKКОsë së Shkallës së Parë prek interesa të lartë shtetërorë, shoqërorë, por edhe të vetë individëve. Sipas tij, pezullimi mbron sistemin e qeverisjes, duke ruajtur funksionalitetin e plotë të Këshillit të Ministrave, i cili ushtron çdo funksion shtetëror që nuk u është dhënë organeve të pushteteve të tjera shtetërore ose të qeverisjes vendore. Kërkuesi ka pretenduar se vendimi sjell pasoja të pariparueshme për qeverisjen e vendit, duke krijuar vakum institucional, mosfunksionim të Këshillit të Ministrave dhe pamundësi për ushtrimin e përgjegjësive dhe të kompetencave që Kushtetuta e legjislacioni në fuqi i njeh ekskluzivisht pushtetit ekzekutiv. Gjithashtu, ai ka pretenduar se është në interes shtetëror që kompetencat e Kryeministrit, të Presidentit dhe të Kuvendit të vazhdojnë të prodhojnë efektet juridike, ndërsa lënia në fuqi e vendimit të GJKKO-së do të thellonte konfliktin e kompetencave ndërmjet pushtetit gjyqësor, në njërën anë, dhe pushteteve legjislative dhe ekzekutive, në anën tjetër, duke cenuar më tej parimin e ndarjes e të balancimit të pushteteve. Sipas tij, pezullimi i një ministri ose zëvendëskryeministri njëkohësisht pezullon veprimtarinë e pushtetit ekzekutiv në fushën e përgjegjësisë të ministrit dhe të zëvendëskryeministrit të pezulluar.
3. Në datën 27.11.2025 kërkuesi i është drejtuar sërish Gjykatës me kërkesë për shtimin objektit të kërkesës, duke kërkuar edhe shfuqizimin e vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të GJKKO-së së Shkallës së Parë, për pjesën që ka disponuar për vazhdimin e zbatimit të masës ndaluese ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, shtetases Belinda Balluku. Në kushtet kur këto dy vendime, në thelb, shprehen për të njëjtën masë ndaluese, ndonëse kërkuesi nuk ka kërkuar në kërkesën për shtesë objekti edhe pezullimin e vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të GJKKO-së së Shkallës së Parë, Mbledhja e Gjyqtarëve çmon t’i vlerësojë pretendimet për vendosjen e masës së pezullimit edhe për këtë vendim.
4. Sipas nenit 45, pika 1, të ligjit organik të saj, Gjykata, kryesisht ose me kërkesë të palëve, kur vlerëson, ndër të tjera, se zbatimi i aktit mund të sjellë pasoja që prekin interesa shtetërorë, sipas rastit, me vendim të Mbledhjes së Gjyqtarëve urdhëron pezullimin e tij. Sipas kësaj dispozite, së pari: subjekti që kërkon pezullimin e një akti duhet të provojë prekjen e interesave shtetërorë, si dhe pasojat e pariparueshme që do të sjellë zbatimi i aktit; së dyti: shqyrtimi i kërkesës mund të bëhet nga Gjykata edhe përpara seancës plenare.
5. Mbledhja e Gjyqtarëve, pasi mori në shqyrtim pretendimet e kërkuesit në mbështetje të kërkesës për pezullim, vlerësoi se në rastin konkret ajo ndodhet në kushtet e parashikuara nga neni 45 i ligjit organik të Gjykatës. Në vlerësimin e Mbledhjes së Gjyqtarëve, zbatimi i vendimeve nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të GJKKO-së së Shkallës së Parë, si dhe vazhdimi i masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, njëkohësisht zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, rrezikon të sjellë pasoja që prekin interesat shtetërorë gjatë ushtrimit të kompetencave kushtetuese të pushtetit ekzekutiv në drejtim të përcaktimit të politikave të përgjithshme shtetërore.
PËR KËTO ARSYE,
Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të nenit 45, pika 1, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nenit 27, të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, me shumicë votash,
VENDOSI:
1. Pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, sipas nenit 45 të ligjit organik të Gjykatës.

SI.E./Shqiptarja.com