Nuk është hera e parë që Albin Kurti hedh “baltë” mbi Gjykatën Kushtetuese.
Ai edhe sot tha se Gjykata Kushtetuese po funksionon si hije politike e opozitës ndaj Vetëvendosjes.
Ka thënë se meqë tash u zgjodh kryetari i Kuvendit dhe katër nënkryetarët, Gjykata mori masë të përkohshme sipas kërkesës së Listës Serbe.
Ai ka thënë se kjo “është ngjashëm sikur Arben Vitia të lëshojë vendim mjekësor që ata shtatë gjyqtarë të shkojnë në pushim mjekësor për shkak të gjendjes së tyre të rënduar”.
“Nga katër muaj e gjysmë prej mesit të prillit, tre muaj janë vonesë e Gjykatës Kushtetuese. Një muaj e gjysmë vonuan për ta trajtuar ankesën e AAK-së e po aq ankesat e LDK-së e PDK-së. Opozita orë e çast i drejtohej Kushtetueses. A e dini pse, sepse pesë nga shtatë gjyqtarët e Kushtetueses janë zgjedhur në 2018 kur në pushtet ishte koalicioni i PAN-it me Listën Serbe”, ka thënë ai.
Edhe Glauk Konjufca, ka thënë se krizat politike nuk vijnë nga qielli dhe as nuk rrinë pezull.
Sipas tij, edhe Gjykata Kushtetuese i kontribuoi krizës.
“Qasja e saj ishte më shumë politike se kushtetuese. Kushtetuesja është para një vendimi të madh. Gjykata nuk ka çfarë të interpretojë më tej Kushtetutës. Ose do të hapet rruga që Kuvendi do të vazhdojë ose do të vazhdojmë në zgjedhje të reja. Skenari i tretë është më i keqi i mundshëm. Një skenar në nivel të tradhtisë shtetërore, një skenar që ja jep Listës Serbe dhe Beogradit, të drejtën e vetos mbi Republikën e Kosovës. Republika e Kosovës nuk mund të jetë peng i Listës Serbe. Ne e kemi Kuvendin dhe do ta kemi qeverinë”, ka thënë ai.
Deklaratave të tyre iu reaguan menjëherë bga opozita.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, thotë se përgjegjësia për bllokim ka një emër dhe ai është Albin Kurti.
“Albin Kurti, si gjithmonë, kur përballet me sfida apo dështime, tenton të gjejë fajtorë të tjerë. Tani ai po akuzon Gjykatën Kushtetuese dhe partitë opozitare për vonesat në konstituimin e Kuvendit, duke injoruar shkeljet e njëpasnjëshme të Kushtetutës që i ka bërë ai dhe partia e tij. E vërteta për bllokimin e Parlamentit dhe institucioneve është e qartë: përgjegjësia ka një emër, Albin Kurti. Të tjerat janë propagandë e pastër.”, është shprehur Deliu-Kodra në reagimin e saj përmes postimit në facebook.
Ndërsa kryetari i AAK, Ramush Haradinaj përmes një postimi në Facebook tha se Kurti nuk flet për shkeljet e njëpasnjëshme të Kushtetutës që, sipas tij, i ka bërë ai vetë dhe partia e tij, por zgjedh të mashtrojë duke e fajësuar Gjykatën Kushtetuese.
“Kjo ma kujton atë shprehjen popullore kur ‘hajni bërtet kapeni hajnin’. Ata gjyqtarë i ka zgjedhur Kuvendi legjitim i Republikës së Kosovës e jo formacionet imagjinare të tij! E vërteta për bllokimin, jo vetëm të Parlamentit por edhe të Shtetit, e ka vetëm një emër e ky është Albin Kurti dhe kjo sot është e qartë për secilin, veç në mendjen e Albin Kurtit është e mjegullt!”, shkroi mes tjerash Haradinaj.
E publicisti Shkëlzen Maliqi, ka reaguar pasi Kurti sulmoi Gjykatën Kushtetuese, për vendimin e fundit në lidhje me punën e Kuvendit.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se Kurti i ka 48 deputetë dhe nuk i ka faj Kushtetuesja që ai s’po gjen vota.
Ai ka shtuar se Kurtit po i pëlqen që të mbetet në detyrë.
“Kurti i ka 48 deputetë për me e bo qeverinë e re, s’ia ka fajin Gjykata pse s’po gjen vota – dhe po i pëlqen shumë që të mbetet km në detyrë”.