Komandanti i misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, gjeneralmajor Enrico Barduani, ka zhvilluar një vizitë lamtumirëse tek Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Prishtinë.
Gjatë takimit, ata diskutuan për përmirësimet e arritura në fushën e sigurisë në Kosovë dhe vlerësuan nivelin e lartë të bashkëpunimit institucional gjatë mandatit të gjeneralit Barduani në krye të KFOR-it.
Gjeneral Barduani falënderoi Presidenten Osmani për mbështetjen e vazhdueshme ndaj përpjekjeve të KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Në shenjë mirënjohjeje për përkushtimin dhe udhëheqjen e tij të dalluar, Presidentja Osmani e dekoroi gjeneral Barduanin me Medaljen Presidenciale Ushtarake si një simbol i vlerësimit për shërbimin e tij të çmuar dhe udhëheqjen e suksesshme gjatë mandatit në Kosovë.
Gjenerali Barduani u shpreh se kjo dekoratë është një nder që duhet ndarë me ekipin dhe bashkëpunëtorët e tij në KFOR.
“Misioni i KFOR-it vazhdon të zbatojë mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (1999), duke kontribuar për një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë, si dhe për lirinë e lëvizjes – në mënyrë të paanshme dhe në çdo kohë. KFOR bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si përgjegjës të sigurisë”, thuhet në njoftim./IndeksOnline/