Në Këlcyrë po kalon në fazë zbatimi “Paketa e Maleve”, një projekt që synon të nxisë zhvillimin ekonomik dhe investimet në zonat malore dhe rurale të bashkisë. Sipas kryetarit të Bashkisë Këlcyrë, Klement Ndoni, procesi ka hyrë tashmë në një etapë konkrete, ku janë miratuar hartat e zhvillimit dhe janë përcaktuar zonat prioritare, duke përfshirë edhe territoret jashtë qendrës urbane.
“Përveç qytetit, të gjitha njësitë administrative normalisht janë brenda hartës të këtij miratimi. Kështu që nga ky moment mendojmë të fillojmë me hapa konkret ku kanë filluar praktikisht dhe interesimet e para për zbatimin e paketës së maleve”, deklaroi Ndoni.
Ndoni thekson se pas miratimit të hartës, janë mbi 50 kërkesa nga qytetarët dhe investitorët e interesuar për zhvillim në këto zona, të cilat po shqyrtohen nga një komision i posaçëm i ngritur pranë bashkisë. Procesi, sipas tij, është i strukturuar dhe ndjek të gjitha hapat ligjorë, duke filluar nga paraqitja e kërkesës, dokumentacioni përkatës dhe më pas verifikimi teknik dhe administrativ.
“Në të gjithë zonat e hartave që janë miratuar në bashkinë tonë. ka kërkesa të cilat varojnë në të gjitha fushat që mund të bëhet një zhvillim në në zonat e njësive administrative në këto zona”, shtoi ai.
“Paketa e Maleve” shihet si një mundësi për të nxitur investimet në zonat rurale, për të frenuar braktisjen dhe për të krijuar kushte më të mira për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Në fokus mbeten zonat malore dhe fshatrat, ku pritet që kjo nismë të sjellë projekte të reja në turizëm, bujqësi dhe infrastrukturë.Me këtë paketë, Bashkia e Këlcyrës synon të hapë një kapitull të ri zhvillimi për zonat malore, duke i kthyer ato në hapësira më tërheqëse për banim, investim dhe turizëm.