Kampionati kombëtar i basketbollit për meshkuj ka luajtur të shtunën dhe të dielën pesë ndeshje të vlefshme për javën e katërt. Një javë ku nuk u shënuan surpriza, ndërsa Besëlidhja dhe Apolonia mbeten ekipet e vetme me pikë të plota.basketLezhjanët shënuan fitoren e katërt me rezultat treshifror, teksa mposhtën dje Pogradecin 124-76 (31-16, 31-26, 36-13, 26-21). Kampionët në fuqi treguan superioritetin e tyre në “Asllan Rusi”, duke komanduar në të katërta periodat, për të konfirmuar forcën e jashtëzakonshme ofensive. Edmons, me 22 pikë e 8 kërcime, ishte lojtari më efikasitetin më të lartë për ekipin e Afrim Bilalit. Për skuadrën liqenore nuk mjaftoi Taylor, autor i 29 pikëve, 11 kërcimeve dhe i 5 asistimeve.
Asnjë problem për Apoloninë në sfidën kundër Flamurtarit, me fierakët që fituan në shtëpi me rezultatin e thellë 98-57 (5-1, 44-27, 19-13, 30-16). E veçanta e kësaj ndeshjeje ishte perioda e parë, shumë “poshtë” me pikë, e mbyllur me rezultatin e paprecedentë 5-1 për vendësit. Ekipet e korrigjuan shënjestrën si me “buton” në çerekun e dytë, me fierakët që shënuan 44 pikë dhe vlonjatët 27. Apolonia e kontrolli më pas lojën, duke dominuar edhe pjesën e dytë, për të shënuar suksesin e katërt në kampionat.
Amerikani Bate, autor i 22 pikëve dhe 6 kërcimeve ishte lojtari me indeksin më të lartë për fierakët. Te Flamurtari shënuesi më i mirë ishte Armelind Sotiri me 11 pikë, me vlonjatët që njohin vetëm humbje në kampionat. Një ndeshje shumë interesante, ashtu sikurse edhe pritej, ishte klasikja ndërmjet Tiranës dhe Vllaznisë. Bardheblutë fituan me rezultatin 72- 69 (16-22, 23-23, 20-11, 13-13) në sallën “Farie Hoti”. Kryeqytetasit e bënë diferencën në periodën e tretë, për ta mbrojtur më tej epërsinë. Amerikani Massie udhëhoqi Tiranën me 26 pikë, 5 kërcime dhe 5 asistime. Për Vllaznia rendimentin më të lartë e kishte Ashton, autor i 17 pikëve dhe 12 kërcimeve.
Fitore në kryeqytet për Teutën, e cila mundi Partizanin në “Asllan Rusi” në shifrat 71-75 (22-18, 17-12, 15-23, 17-22). Me pjesën e parë më të mirë për të kuqtë, durrsakët arritën që të përmbysnin në gjysmën e dytë. Kristi Gorea bëri diferencën për Teutën, duke regjistruar 19 pikë, 12 kërcime e 3 asistime. Për Partizani nuk mjaftuan amerikanët Davis (25 pikë, 12 kërcime) dhe Austin (24 pikë). Sukses treshifror për Skënderbeun, me korçarët që mundën në shtëpi Elbasanin me rezultatin 122-93 (33-20, 29-19, 30- 29, 30-25). Një ndeshje me “bollëk” pikësh, ndërsa të zotët e shtëpisë u treguan më të asktë. Wakefield, me 29 pikë e 12 asistime ishte lojtari i ndeshjes, duke spikatur me paraqitjen e tij te Skënderbeu. Për miqtë shënuesi më i mirë ishte Juelfs, autor i 28 pikëve. Java e katërt do të kompletohet sot me takimin Fieri-Kamza në orën 18:00.FDG