Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë për marrjen e kredisë prej 40 milionë euro për ndërtimin dhe renovimin e shkollave dhe konvikteve, e cila siç thonë, në mënyrë të qëllimshme dhe të papranueshme është orientuar pothuajse tërësisht në qytetet maqedone. Portalb.mk e siguroi nga Qeveria listën e objekteve ku do të kryhen rikonstruime.
Nga BDI thonë se përjashtimi i shkollave dhe konvikteve me nxënës shqiptarë nga projektet kapitale në arsim përbën diskriminim institucional dhe shkelje të parimit të barazisë.
“Ky vendim nuk është as rastësi dhe as gabim teknik, është politikë e pastër diskriminuese, e cila synon të përjashtojë komunat shqiptare nga investimet kapitale dhe të rikthejë praktikat e vjetra të ndarjes etnike të buxhetit shtetëror. Qeveria po merr kredi në emër të të gjithë qytetarëve, përfshirë shqiptarët, por investimet po i orienton vetëm për një komunitet”, thanë nga BDI.
Nga Qeveria e RMV-së për Portalb.mk theksuan se mjetet që sigurohen do të përdoren për dy qëllime. I pari është vazhdimi i rindërtimit tërësor të konvikteve shtetërore ekzistuese për studentë, duke pasur parasysh se deri më tani janë përfshirë dy konvikte në Shkup, ndërsa kanë mbetur edhe shtatë të tjerë për t’u rindërtuar, tre në Shkup dhe nga një në Prilep, Manastir, Ohër dhe Shtip.
Ndërsa se pjesa tjetër e mjeteve do të përdoret për rindërtimin e shkollave shtetërore ekzistuese me qendra burimore (shkolla për nxënës me nevoja të veçanta arsimore), të cilat gjithashtu ndodhen në disa komuna dhe se për këtë arsye nuk mund të bëhet fjalë për ndonjë përzgjedhje të komunave ku jeton ekskluzivisht një apo një tjetër bashkësi etnike.
“Ministria nuk ka një parim të tillë pune. Këto janë shkolla ekzistuese, të ndërtuara dekada më parë, të cilat kanë një rol shumë të rëndësishëm në rritjen e gjithëpërfshirjes së sistemit arsimor dhe, për shkak të amortizimit të objekteve, kanë nevojë për renovim. Pjesa më e madhe e shkollave ndodhen në Shkup, por të gjitha ato u shërbejnë disa komunave, përkatësisht ofrojnë mbështetje për gjithëpërfshirje për shumë shkolla të tjera”, thanë nga Qeveria.
Më poshtë janë objektet që do të përfshihen në aktivitetet rindërtuese.
Konvikte studentore: Nikolla Karev – Ohër, Tome Stefanovski Seniq – Shkup, Orde Çopella – Prilep, Vëllezërit Milladinov – Shtip, Koço Racin – Manastir, Goce Dellçev – Shkup, Pellagonia – Shkup.
Qendra Burimore / Shkolla shtetërore: Iskra – Shtip, Shën Klimenti i Ohrit – Novo Sello (Strumicë), Koço Racin – Manastir, Dimitar Vllahov – Shkup, Partenija Zografski – Shkup, Shën Naumi i Ohrit – Shkup, Llazar Llazarevski – Veles.