Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në Regjistrin Qendror, ku sipas tyre janë realizuar 40 avancime pa përfshirjen e asnjë shqiptari. Siç raporton Tetovasot, BDI e cilëson këtë situatë si një shkelje serioze të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe të barabartë.
Në reagimin e siguruar nga Tetovasot, theksohet se në një institucion publik ku janë bërë 40 avancime, mungesa totale e shqiptarëve në këtë proces dëshmon se përfaqësimi nuk po respektohet si standard, por është shndërruar në përjashtim.
BDI gjithashtu hedh përgjegjësi direkte mbi VLEN, si pjesë e qeverisë aktuale, duke theksuar se heshtja e tyre për këtë çështje është e papranueshme. Sipas tyre, në vend që të mbrojnë të drejtat e shqiptarëve, përfaqësuesit e VLEN-it kanë zgjedhur të mos reagojnë.
Siç theksohet më tej në deklaratën e publikuar nga Tetovasot, BDI kërkon sqarim të menjëhershëm për kriteret dhe procedurat që janë ndjekur në këto avancime, si dhe masa konkrete për të garantuar përfaqësim të drejtë dhe të barabartë në institucionet shtetërore.
“Shqiptarët nuk mund të trajtohen si të padukshëm në institucionet e këtij shteti”, thuhet në fund të reagimit të BDI-së, raporton Tetovasot.
Reagimi i plote i BDI-se:
Bashkimi Demokratik për Integrim e konsideron këtë zhvillim si një shkelje të rëndë të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe një alarm serioz për mënyrën se si po trajtohen shqiptarët në institucionet shtetërore.
Në një institucion publik ku janë realizuar 40 avancime, fakti që asnjë shqiptar nuk është avancuar tregon qartë se përfaqësimi nuk është më standard, por është bërë përjashtim.
VLEN-i, si pjesë e qeverisë, mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për këtë gjendje.
Ndërkohë që të drejtat e shqiptarëve duhet të mbrohen, ata kanë zgjedhur të heshtin.
BDI kërkon sqarim të menjëhershëm për kriteret dhe procedurat e këtyre avancimeve, si dhe marrjen e masave konkrete për të garantuar përfaqësim të drejtë dhe të barabartë.
Shqiptarët nuk mund të trajtohen si të padukshëm në institucionet e këtij shteti.