Ambasadorët e 27 vendeve anëtare të BE-së pritet që nesër, më 23 korrik, të hapin dritën jeshile për vijimin e negociatave me vendin tonë për grupkapitullin të 5-të, i cili përfshin Bujqësinë dhe Kohezionin.
Gazetari Vladimir Lame, duke iu referuar burimeve zyrtare nga Brukseli raporton se pas kësaj, presidenca daneze e BE-së do t’i kërkojë Shqipërisë përmes një letre zyrtare që të paraqesë pozicionin e saj negociues për konferencën e ardhshme ndërqeveritare me qëllim hapjen e këtij grupkapitulli. Ky është edhe grupkapitulli i fundit i negociatave të anëtarësimit për vendin tonë drejt BE-së.
Të njëjtat burime deklaruan se konferenca e gjashtë ndërqeveritare do të mbahet në mesin e muajit shtator. Në këtë konferencë, do të hapet grupkapitulli i katërt i negociatave, ai për Axhendën e Gjelbër dhe Lidhshmërinë e Qëndrueshme.
BE-ja i ka kërkuar që në muajin qershor Shqipërisë që të paraqesë pozicionin e saj negociues për këtë grup kapitujsh.
Grupkapitulli 4 përfshin transportin, rrjetet trans-evropiane, përmirësimin e infrastrukturës rrugore asaj hekurudhore si dhe sigurinë.
Po ashtu trajtohen çështje që lidhen me sektorin e energjisë, mbrojtjen e mjedisit dhe ndryshimet klimatike
Shqipëria synon që të përfundojë negociatat deri në vitin 2027 si dhe anëtarësimin e plotë në BE deri në vitin 2030.