Bashkimi Europian ka shpallur zyrtarisht Gardën Revolucionare të Iranit organizatë terroriste. Vendimi u konfirmua nga shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, pas mbledhjes së ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare.
Në një reagim publik, Kallas tha se “represioni nuk mund të mbetet pa përgjigje” dhe se BE-ja ka marrë një hap vendimtar kundër një regjimi që, sipas saj, “vret qytetarët e vet”. Ajo shtoi se dhuna ndaj protestave dhe shkeljet e të drejtave të njeriut kanë qenë faktor kyç në këtë vendim.
Vendimi i BE-së përfshin edhe sanksione ndaj 15 zyrtarëve dhe gjashtë organizatave iraniane, të lidhura me shtypjen e dhunshme të protestave në vend.
Teherani reagoi menjëherë. Ministri i Jashtëm iranian, Seyed Abbas Araghchi, e quajti vendimin e BE-së “një gabim të madh strategjik” dhe akuzoi Europën se po nxit tensionet në rajon.
Në një deklaratë publike, Araghchi tha se ndërsa disa vende po përpiqen të shmangin një luftë të hapur në Lindjen e Mesme, Europa, sipas tij, “po i hedh benzinë zjarrit”. Ai akuzoi BE-në për standarde të dyfishta, duke përmendur mungesën e veprimeve ndaj Izraelit për luftën në Gaza.
Sipas kryediplomatit iranian, ky qëndrim i BE-së është i dëmshëm edhe për vetë Europën, veçanërisht për shkak të pasojave që një përshkallëzim i konfliktit do të kishte në çmimet e energjisë dhe stabilitetin rajonal.
Vendimi i BE-së vjen në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme dhe pas protestave masive në Iran, të shtypura me dhunë nga autoritetet. Prej vitesh, perëndimi konsideron Gardën Revolucionare si instrument kryesor të represionit të brendshëm dhe të ndikimit iranian në rajon.