Përpara sfidës së rëndësishme ndaj Vikingur në raundin e dytë të UEFA Conference League, sulmuesi i Vllaznisë, Bekim Balaj, ka folur për mediat, duke ndarë bindjen e tij se skuadra është e gatshme të luftojë për kualifikimin, sidomos me mbështetjen e tifozëve në stadiumin “Loro Boriçi”.
“Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. E kaluam me sukses turin e parë, me vështirësitë e veta, dhe tani rikthehemi në shtëpi, në Shkodër. Mbështetja e tifozëve do të jetë një shtysë e madhe për të gjithë ne”, u shpreh Balaj.
Ai theksoi se kualifikimi i arritur më parë ka rritur ndjeshëm atmosferën dhe moralin në skuadër, pavarësisht sfidave që kanë hasur në përballjen e parë.
“Rezultati i parë nuk na favorizoi, por besimi nuk mungoi asnjëherë. Në ndeshjen e kthimit e treguam karakterin dhe arritëm të kualifikohemi.”
Duke analizuar kundërshtarin e radhës, sulmuesi kuqeblu vuri në dukje se Vikingur vjen në këtë përballje në një moment më të mirë fizik, pasi janë në mes të sezonit dhe kanë më shumë ritëm loje.
“Është një ekip me cilësi dhe më shumë minuta në këmbë, kjo ndoshta i favorizon disi. Por ne kemi forcën, grupin dhe mbi të gjitha besimin. Do të japim gjithçka për të arritur një tjetër kualifikim”, përfundoi Balaj.