Interesimi i qytetarëve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës është i ulët në fshatin Çellopek. Në vendvotimin 2040, deri në orën 09:00 kanë votuar vetëm 10 qytetarë, ndonëse në listën zgjedhore janë të regjistruar mbi 600 votues.
Për portalin TetovaSot, njëra nga anëtaret e komisionit zgjedhor në këtë vendvotim tha se dalja në orët e mëngjesit është dukshëm më e ulët krahasuar me zgjedhjet e kaluara.
“Shpresojmë që pasdite të rritet numri i votuesve, pasi sot është e diel dhe qytetarët nuk dalin të votojnë në orët e mëngjesit”, deklaroi ajo për TetovaSot.
Sipas saj, deri në këto orë, pjesëmarrja në votime është më e ulët se në proceset e mëparshme zgjedhore.
Ndryshe, sot në Komunën e Bërvenicës po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune, ku në garë janë gjithsej gjashtë kandidatë, katër maqedonas dhe dy shqiptarë.