Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka miratuar kredinë prej 30 milionë eurosh për rikonstruksionin dhe elektrifikimin e linjës hekurudhore Durrës-Rrogozhinë.
Huaja është dhënë për kompaninë shtetërore Hekurudha Shqiptare dhe synon që të rehabilitojë dhe elektrifikojë rreth 34 kilometra të linjës hekurudhore nga Durrësi deri në Rrogozhinë, duke përfshirë edhe rindërtimin e ndërtesave të stacioneve.
Ky investim është një hap kyç në përpjekjet e Shqipërisë për modernizimin e rrjetit hekurudhor, përmirësimin e lidhshmërisë rajonale dhe përafrimin me standardet evropiane të transportit.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, thotë se rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës-Rrogozhinë do të kontribuojë për të forcuar më shumë lidhshmërinë jo vetëm brenda vendit, por edhe në rajon.
“Ky projekt shënon një moment transformues në zhvillimin e infrastrukturës së Shqipërisë. Ai do të forcojë jo vetëm lidhshmërinë tonë kombëtare dhe rajonale, por gjithashtu do të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin afatgjatë të Shqipërisë dhe integrimin e saj në rrjetin më të gjerë evropian të transportit. Jemi mirënjohës për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm nga partnerët tanë ndërkombëtarë për ta bërë këtë vizion realitet”.
Kurse Drejtori Rajonal i BERZH për Infrastrukturën e Ballkanit Perëndimor, Rumanisë dhe Bullgarisë, Donald Mishaxhiu, shprehet se miratimi i huasë prej 30 milionë euro tregon mbështetjen për modernizimin e rrjetit hekurudhor shqiptar.
“Ky investim pasqyron mbështetjen tonë të vazhdueshme për transformimin hekurudhor të Shqipërisë. Bashkë me partnerët tanë, po ndihmojmë në ndërtimin e një rrjeti transporti modern, të qëndrueshëm dhe të lidhur, që do të përfitojë breza të tërë”.
Linja hekurudhore Durrës-Rrogozhinë është pjesë e Korridorit të VIII, një rrugë prej 1,500 km që lidh jugun e Italisë me portet e Detit të Zi të Bullgarisë, dhe do të sigurojë lidhjen e parë hekurudhore të Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut.
BERZH-i ka financuar më herët edhe linjat hekurudhore Tiranë-Durrës dhe Vorë-Hani i Hotit.