Dhe jo në renditjen e Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë në të cilin ajo është një nga themelueset, por e gjen në vendin e parafundit të Kampionatit të Kategorisë së Dytë, të cilin me një kryefortësi antihistorike Federata Shqiptare e Futbollit vazhdon ta quajë Kategori e parë.
Duke harruar kështu se në Kampionatin e Kategorisë së Parë – e ky është Kampionati i parë Kombëtar i Shqipërisë – kjo Besë e Kavajës ka marrë pjesë në plot 61 prej tyre. Kuptohet që është fjala për Kampionatet e Mbasluftës, vite kur Kampionati Kombëtar emërtohej zyrtarisht si Kampionati Kombëtar i Kategorisë së Parë. Kjo do të thotë se pa pikë serioziteti, për të mos thënë pa asnjë hezitim të një injorance historie, FSHF_e ka vjedhur këte emërtim për t’ia falë Kampionatit të Kategorisë së Dytë, duke shkatërruar historinë dhe duke i mposhtur të gjithë. Megjithate, them se lodhet kot, nuk na mposhtë. Më vjen keq për një pjesë të mirë të gazetarëve të brezit të sotëm, të cilët janë nënshtruar keqas duke pranuar të quhet Kategori e Parë, Kampionati i Kategorisë së Dytë. Kjo është një nga rrênat më të mëdha të historisë së futbollit tonë kombëtar. Kur ky është vërtetësisht Kampionati i Kategorisë së Dytë, që po e rrezikon skuadrën historike të Kavajës për të rënë në të Tretën, ndërkohë që edhe këte kampionat po me rrêna, e quajnë Kategori e Dytë, ndonëse është saktësisht Kategori e Tretë!
Por Besa prap se prap është Besa. Eshtë Besa e Kavajës. Besa e jonë e futbollit tonë kombëtar. Besa “e ime”. Ose më saktë, edhe “e imja”. Për çka jam i bindur që një pjesë e madhe veteranëve të saj, e dinin fort mirë se ajo ka qenë edhe Besa “e ime”. Këte e vërtetojnë shkrimet e mia të pafund në mbrojtje të saj, në përshkrime të historinave të paharrueshme të saj. Dhe veçan për faktin se për tri vjet me rradhë, duke qenë ushtar në Kavajë, me shokët e mi përjetuam drejtpërsëdrejti stërvitjet e përjavëshme si dhe ndeshjet e Besës së Kavajës. Fusha e vjetër e Besës, e themeluar qysh në vitet ’20 a ’30, ishte mû ngjitur me repartin ushtarak, padyshim më moderni në Shqipëri. Na ndante vetëm një mur me një lartësi mesatare. Ne, mbasdreke ngjiteshim te muri, uleshin mbi te dhe ndiqnim Besën në stërvitje e ndeshje. Çudia është se nuk na ndalonte askush. E, Besa e Kavajës nuk ka qenë një skuadër ushtarake. Por them se në të gjitha qytetet e Shqiprisë asnjë skuadër nuk e ka pasë fushën e saj ngjitur në kufirin milimetrik me një repart ushtarak. Ky ka qenë fati ynë i madh. Një fat lirie. Ngaqë duke ndjekur stërvitjet e pandashme dhe ndeshjet e Besës, aty mbi atë mur ndarës, ne fitonim për afër nja dy orë lirinë qytetare që natyrisht reparti ushtarak në orët e tjera, nuk na e jipte.
Kanë qenë vitet 1965-1968. Lojtarët e Besës së kësaj periudhe të cilët na gëzonin ne, teksa ndiqnim stërvitjet e ndeshjet e saj, kanë emra të pashlyeshëm: Shefqet Topi, Hazis Bejtaga, Dhimitër Dimroçi, Ali Karriqi, Andon Simaku, Xhavit Daiu, Seit Lilamani, Selim Gjoci, Esat Gjoci, Ali Felahi, Fatbadh Zhelegu, Mirjan Piku, Naim Hushi, Besnik Dyla, Agim Dizdari, Bujar Pagria, Tahir Rraklli, Thabit Rexha, Muharrem Karriqi, Zenel Kashami, Azem Mullaliu, Shyqyri Qerolli, Ali Zajmi, Halim Maliqati. Dhe jo vetëm këta…
Dhe trajnerët e paharrueshëm Zihni Gjinali e Hasan Germani.
Këto janë shumica e “besianëve” të atyre tri vjetëve “të mia” në Kavajë, por me librat e mi të mëpastajmë për vitet 1930- 1964 kam përshkruar gjerësisht edhe Besën “e vjetër”. E mandej Besa e shkrimeve të mia, në fillim në gazetën “Bashkimi”, e cila përveç meje kishte një dashamir të madh kryeredaktorin e paharrueshëm Niko Nishku, i cili do të më kujtonte gjithnjë: “Mos e harro Besën e Kavajës!”. Dhe është kjo gazetë e para e cila ka botuar, në mos gaboj, shkrimin e parë kushtuar një përvjetori të saj andej kah vitet 1970-71.
Të mësipërmit ishin njeri futbollist më i mirë se tjetri. Dhe e pakta gjysma e tyre të rangut të lartë kombëtar dhe jo pak edhe ndërkombëtar.”Të kisha një djalë si Rrema, paç me i hy Vezirit mbrenda”, siç pat shkruar një herë në mënyrë disi metaforike, gazetari i shquar Prokop Koreta. Në mos gabojsha, mbas një fitoreje të Besës ndaj të mëdhejve të kryeqytetit. E kishte fjalën për Muharrem Karriqin – sot e kësaj dite simbol unikal i skuadrës.
Kjo ka qenë Besa. Ka qenë një gëzim popullor, një gëzim qytetar, pse jo, edhe kombëtar. Kjo ka qenë skuadra te e cila si asnjë tjetër, në ndeshjet e saj, në atë fushë modeste do të ishte e pranishme gati gjysma e qytetarëve të saj. Anton Mazrreku pat shpikur përcaktimin “skuadra simpatike e Besës”. E pat shpikur këte përcaktim kur Kampionati i Shqipërisë sundohej prej dyshes Partizan/Dinamo përballë së cilës Besa do të zhvillonte ndeshje vërtet spektakolare. Madje të një teknike që veç ajo e zotëronte. “Cicmici i Kavajës”, siç thuhej disi me humor, duke nënkuptuar pasimet milimetrike të lojtarëve të saj thuajse në çdo ndeshje.
Çka pat kulmuar në vitin 1958 kur e humbi Kampionatin vetëm 1 pikë më pak nga Partizani. Ishte Besa e trajnerit tonë të madh, të shkollës hungareze, Skender Dedja, sendërtues për te një taktikë moderne e prirë prej pesëshes së ndritur të futbollit shqiptar, siç ishte ajo e Shevqet Topit, Allaman Idrizit, Selim Gjocit me në krye treshen e papërmbajtëshme të futbollit sulmues të asokohe, ajo Qemal Gavardari – Hasan Germani – Dhimitër Dimroçi.
Kjo ka qenë Besa Kavajës, dy herë Nënkampione e Shqipërisë, dy herë fituese e Kupës së Shqipërisë dhe një herë e Superkupës. Dhe mandej skuadra e parë shqiptare e cila për herë të parë kaloi një tur të Kupës së Europës që ishte ai i Kupës së Kupave. Ishte ndaj Fremad Amager të Danimarkës. Asisoji, duke kaluar në turin e dytë pa mundur t’i rezistojë Hibernianit të madh të skocezëve britanikë (1-7) në ndeshjen e parë, të cilët para pak kishin shkatërruar rradhazi 6-1 Sporting të Lisbonës, 5-3 Celtic-un, 4-1 Kilmarnok-un. Dhe duke u mbërritur barazimin elokuent 1-1 në Durrës.
Për ne gjithçka ka qenë një histori e jashtëzakonshme. Për shkak të ndalimit të Vllaznisë prej shtetit, ka qenë Besa e Kavajës, e dyta e Kupës së Shqipërisë, ajo që do të përfaqësonte vendin në Kupat e Europës. Skuadra e bukur e Kavajës mposht Fremad Amager të Danimarkës 0-0 dhe 1-1 në Kopenhagen më 13 shtator 1972, falë një goli të vetëm të Nimet Merhorit në të 15′, gol që ka mbetë në histori. Në Durrës, në kthim është 0-0 dhe për shkak të golit të fushës kundërshtare, Besa me trajner të paharrueshmin Muhamet (Bet) Vila, dhe ndihmës të tij Agim Dizdarin e mirënjohur, bëhet skuadra e parë e Shqipërisë që futet në 16 më të mirat e Europës – diçka thuajse e paarrtishme edhe për sot prej një klubi shqiptar.
Kur vjen turi i dytë, ndeshja e kthimit me skocezët, pra, Besa zhvillon një ndeshje të shkëlqyeshme 1-1 në Durrës. Rasti ka të bëjë edhe me futbollistin e madh të Flamurtarit të Vlorës, Mexhid Haxhiu, të cilin Besa e merr për përforcim për ndeshjen e kthimit. Pa e zgjatur këte histori që e kemi treguar disa herë, ai hyn në pjesën e dytë, duke u bërë një nxitje e madhe. Dhe Besa – Hibernian 1-1, duke u regjistruar prej skuadrës së Kavajës rezultati i pashlyeshëm ndaj një klubi të shquar të Mbretërisë së Bashkuar.
Na duhet t’i fiksojmë edhe këtu dy skedat historike të ndeshjes së Kopenhagenit e të Durrësit edhe për nderin e futbollit të vjetër të Kavajës, që çoi për herë të parë një skuadër shqiptare në 16 më të mirat e Europës (Kupa e Kupave):
FREMAD AMAGER E DANIMARKES – BESA E KAVAJES 1-1
13.09.1972. Kopenhagen. St. “Sundby Idrætspark”.
GOLAT: Merhori 15′, Ryde 67′.
BESA: Arkaxhiu, Hushi, Kapidani, Mullaliu, Qerolli (Dyla 50′), Kashami, Pagria, Karriqi, Bishtaja, Leshteni, Merhori (Allaj 78′).
TRAJNER: M.Vila.
FREMAD AMAGER: Larsen, S.Hansen, Jacobsen, Mathiasen, Skytte, Andersen, Kristensen, Nielsen (Solomonsen 65′), Yvel (A.Andersen 46′), Lerche, Ryde.
TRAJNER: K.Petersen.
GJYQTAR: J.Lazovski (Polonia).
SHIKUES: 3000.
BESA – HIBERNIANS E SKOCISE 1-1
08.11.1972. Durrës. Stadiumi “Lokomotiva”.
GOLAT: Pagria 54′, Gordon 60′.
BESA: Arkaxhiu, Kapidani, Mullaliu, Allaj, Hushi, Karriqi, Merhori, Kashami, Pagria, Leshteni, Bishtaja (Haxhiu 46′).
TRAJNER: M.Vila.
HIBERNIANS: Herriot (Robertson 70′), Black, Blackley, Schaedler, Brownlie, Cropley, Stanton, Gordon, Duncan, Edwards, O’Rourke.
TRAJNER: E. Turnbull.
GJYQTAR: K.Keller (Zvicër).
SHIKUES: 12.000.
Këtu merrte fund periudha e parë e pranisë së Shqipërisë në Kupat e Europës. Mbërrin Plenumi IV famëkeq i PPSH, viti 1973 dhe “mjaft më edhe me futbollin e huaj”” thërrasin pa pikë mëshire nga zyra e kështjellës së kuqremtë misterioze të PPSH në Shëtitoren “Dëshmorët e Kombit”. Ishte viti fatal 1973. Shqipëria izolohet edhe me klubet në Europë, për bukur 6 vjet, periudhë izoluese që në një farë mënyre ka ndalë zhvillimin e futbollit shqiptar drejt një rruge moderne europiane. Shqipëria nuk do të ketë as Kombëtare dhe as klube në Europë! E dënueshme edhe për sot e kësaj dite! Dhe për 6 vjet me rradhë ne nuk bënim gjë tjetër veçse përsërisnim arritjen e bukur të Besës së Kavajës. Një kujtim i madh që nuk donte të ndalte.
Kjo është Besa e Kavajës së cilës i takoi të mbërrinte në 100 vjetorin saj duke qenë andej kah fundi i Kampionatit të Kategorisë së Dytë, pra. Për një çast po më duket se nuk më ecën më tej ky shkrim, teksa kujtoj se janë plot 11 vjet rradhazi të saj jashtë Kampionatit Kombëtar! Ndonëse në renditjen time ajo hyn në 10 skuadrat më të mira të të gjithë Kampionateve të Shqipërisë (1930-2025).
Ndërkaq, teksa shoh festimin qytetar të 100 vjetorit të saj në “Piazza”-n e Kavajës, mrekullohem. Ndodhi kështu, që kjo Besë e Kavajës guxoi të realizonte një festim të një pamjeje të mahnitshme. Nuk ekzagjeroj. E gjithë rruga e gjatë e qendrës së qytetit shndriste nga valëvitja e flamujve të Besës, të shtrirë deri në lartësi – çka kësisoji bëhet vetëm për festa kombëtare. Dhe befasia e madhe: shkëlqenin foto të pafund të tipit poster të futbollistëve më të mëdhej të Besës, lart në krye të flamujve të saj. Asnjë klub futbolli, asnjë kampione e Shqipërisë deri më sot nuk ka bërë një festim kaq origjinal dhe kaq gjigand. Duket qartë se Besa don të na mësojë vlerat e një bukurie të madhe qytetare edhe në ditët më të vështira të saj mû në zemrën e qytetit. Për fat mû në atë rrugë ku unë në ato vite ’60, thuajse çdo javë shëtisja me miqtë e mi të paharrueshëm Sadik Merhori, Hasan Germani, Selaudin Maxhuni e Fejzulla Dollia – padyshim krenari qytetare të Kavajës. Dhe jo vetëm e futbollit. Pa harruar dy shkodranët e mij të të një kontributi të pazakontë në artin e kulturën e Kavajës, të paharrueshmit Mustafa Beqiri e Qemal Mehmeti. Sigurisht, nuk mund të harroj kurrsesi kontributin e madh për ecurinë historike të Besës në vite të tana të mëpastajmë 1982-1999, kur së bashku me kolegun e paharrueshëm Nexhat Gjuzi – qytetar i mirënjohur i Kavajës – drejtonim “Sportin Popullor (“Sportin Shqiptar”) për çudi sot të zhdukur…
Kanë qenë vitet e pashlyeshme edhe të futbollit të Besës, kur në stadiumin e Kavajës lindën deri dhe revoltat e luftës për demokraci…
Dhe ja ku mbërrij te befasia më e fundit. Gazetari i mirënjohur Fatmir Efica i dhuron Besës së tij librin prej 800 faqesh “100 vjet Besa”. Qindra e qindra emra, ndeshje, ngjarje, portrete të pafund themeluesish e futbollistësh: Irfan Berati, Vasip Alushi, Demir Karriqi, Qamil Teliti, Vaid Cara, Qemal Vogli, Sulejman Maliqati, Hasan Germani, Qemal Gavardari, Andon Simaku, Dhimitër Dimroçi, Xhavit Daiu, Selim Gjoci, Agim Dizdari, Naim Hushi, Muharrem Karriqi, Besnik Dyla, Nimet Merhori, Bujar Pagria, Shyqyri Qerolli, Vullnet Dedej, Azem Mullaliu, Naim Allaj, Haki Arkaxhiu, Durim Shtini, Dashnor Bajaziti. Duke kulmuar një emër përtej historisë: Qamil Teliti i cili, me golin e tij ndaj Rumanisë më 1946, i dha Shqipërisë titullin e Kampionit të Ballkanit. E më mbas duke kulmuar me treshen e madhe të Kombëtares Shqiptare, kjo Altin Rraklli – Andi Lila – Sokol Cikalleshi e cila kaloj plot forcë kufijtë Shqipërisë.
Eshtë ky libër i shkëlqyeshëm e krejt i rrallë i Fatmir Eficës që na bën t’i kujtojmë Besës së sotme se edhe asaj i rëndon fort mbi shpinë ky 100 vjetor që e thërret për të rilindur…