E shoh ndërtimtarinë si një fushë ku mund të lë gjurmë konkrete dhe të kontribuoj në zhvillimin e qëndrueshëm të mjedisit të ndërtuar. Kështu u shpreh për Portalb.mk Besa Ismaili, e cila është e përzgjedhur si studente e gjeneratës për vitin akademik 2023/2024 në Fakultetin e Ndërtimtarisë në Universitetin “Shen Kirili dhe Metodi” në Shkup, me notë mesatare 9.58. Ajo thotë se fakti që është një fushë e dominuar nga meshkujt e ka sfiduar pozitivisht për të dëshmuar se përkushtimi dhe kompetenca nuk kanë gjini.
Si është ndjenja të jesh më e mira e gjeneratës?
Besa Ismaili: Të jem e shpallur studentja më e mirë e gjeneratës është një nder i madh dhe një moment krenarie që kurorëzon vite përkushtimi, përpjekjeje dhe sakrifice. Personalisht, ky vlerësim përfaqëson një konfirmim të rrugës që kam ndjekur me pasion dhe përgjegjësi. Profesionalisht, është një shtytje për të synuar edhe më lart, duke qenë gjithmonë e vetëdijshme për përgjegjësinë që sjell një titull i tillë-të jem shembull dhe të kontribuoj me cilësi në fushën time.
Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha gjatë këtij rrugëtimi akademik?
Besa Ismaili: Një nga sfidat më të mëdha ka qenë menaxhimi i ngarkesës intensive të studimeve me angazhimet praktike dhe projektet. Ka pasur periudha me lodhje të theksuar, por më ka ndihmuar organizimi, përkushtimi dhe vendosshmëria për të mos u dorëzuar. Gjithashtu, kam pasur fatin të kem pranë vetes profesorë të cilët kanë qenë të hapur dhe të gatshëm të më mbështesin kurdo që kam pasur nevojë.
Portal
Çfarë të motivoi të zgjidhësh fakultetin e ndërtimtarisë, i cili shihet si profesion më i zgjedhur nga meshkujt?
Besa Ismaili: Zgjedhja ime nuk u ndikua nga statistikat gjinore, por nga dashuria për matematikën dhe idetë që ndërtohen dhe qëndrojnë. E kam parë ndërtimtarinë si një fushë ku mund të lë gjurmë konkrete dhe të kontribuoj në zhvillimin e qëndrueshëm të mjedisit të ndërtuar. Fakti që është një fushë e dominuar nga meshkujt më ka sfiduar pozitivisht për të dëshmuar se përkushtimi dhe kompetenca nuk kanë gjini. Një rol të rëndësishëm në këtë zgjedhje ka pasur edhe vëllai im Besmir Ismaili, i cili është inxhinier ndërtimi dhe që më ka motivuar që nga fillimi me mbështetjen dhe shembullin e tij.
Në vlerësimin tend, cilët janë faktorët kyç që kanë kontribuar në suksesin tënd?
Besa Ismaili: Disiplina, përkushtimi afatgjatë dhe një dëshirë e thellë për të kuptuar gjithmonë më shumë sesa kërkohej në minimumin e detyrueshëm kanë qenë vendimtare. Kam punuar me përpikëri dhe kam synuar gjithmonë të bëj më të mirën-jo për të konkurruar me të tjerët, por për ta tejkaluar versionin tim të djeshëm. Përveç kësaj, një ndikim shumë të rëndësishëm në rrugëtimin tim e kanë pasur familja ime, e cila më ka mbështetur pa kushte, shoqëria ime që gjithmonë ka besuar tek unë, si dhe kolegët e shkëlqyer që kam pasur fatin t’i takoj dhe me të cilët kam ndarë përvoja, ide dhe motivim të ndërsjellë. Ky rrugëtim nuk do të kishte qenë i njëjtë pa këtë rrjet mbështetës që më ka dhënë forcë në çdo hap.
Përveç angazhimit në studime, a je e përfshirë në aktivitete të tjera studentore, projekte apo punë praktike?
Besa Ismaili: Po, kam marrë pjesë në programin CEEPUS, ku kam bashkëpunuar me studentë nga vende të ndryshme të Ballkanit dhe Europës. Ishte një përvojë shumë e vlefshme, që më dha mundësinë të njoh praktika të ndryshme dhe të ndërtoj bashkëpunime akademike ndërkombëtare. Gjithashtu, kam zhvilluar praktikë në kompani ndërtimi dhe jam aktive si demonstratore në fakultet, duke mbështetur studentët në mësimin e punimeve praktike.
Portalb.mk
Çfarë je duke punuar së fundmi?
Besa Ismaili: Aktualisht, jam duke vijuar studimet master në inxhinieri konstruktive, ku përqendrohem në thellimin e njohurive teorike dhe praktike në fushën e projektimit të konstruksioneve. Paralelisht, jam e angazhuar si demonstratore në fakultet-një mundësi që më është besuar me shumë respekt nga prof. dr. Josif Josifovski, i cili më ftoi të jem pjesë e stafit akademik. Ky angazhim më jep mundësinë të qëndroj aktive në procesin akademik dhe të kontribuoj në formimin e studentëve më të rinj.
Portalb.mk:
Si e sheh veten në të ardhmen në fushën e ndërtimtarisë?
Besa Ismaili: Qëllimi im është të zhvillohem si një inxhiniere e përgatitur, e aftë të përballet me sfida reale dhe të sjellë zgjidhje të qëndrueshme në praktikë. E shoh veten duke punuar në projekte ku ndërlidhen teknologjia dhe siguria. Megjithatë, gjithnjë më ka tërhequr edhe ana akademike-dhe pse jo, të vazdojë të jem e angazhuar në fakultet, duke kontribuar në formimin e brezave të rinj përmes përvojës sime. Në këtë rrugëtim, një shtytje shumë të rëndësishme për të vazhduar studimet në master në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” më dha prof. dr. Goran Markovski, i cili më mbështeti dhe më frymëzoi me qasjen e tij profesionale dhe njerëzore.
Po
Cili ka qenë projekti më sfidues që ke punuar gjatë studimeve dhe si e ke menaxhuar?
Besa Ismaili: Projekti më sfidues ka qenë punimi im i diplomës, në të cilin u përpoqa të jap një qasje sa më bashkëkohore dhe analitike për analizën e trarëve statikisht të padefinuar. Duke përdorur gjuhën Python dhe softuerë me burim të hapur (open source softëare), krijova algoritme të personalizuara për llogaritjen e forcave të brendshme dhe zhvendosjeve në sisteme statike. Ky projekt nuk ishte sfidues vetëm nga aspekti teknik, por edhe sepse kërkonte vetë-iniciativë dhe mendim analitik-një përvojë shumë e vlefshme që më përgatiti për sfida të ngjashme në të ardhmen.
Çfarë këshille do t’u japësh studentëve të rinj që kanë vendosur të ndjekin të njëjtën rrugë akademike?
Besa Ismaili: Të mos kenë frikë nga vështirësitë dhe të mos e shohin asnjë lëndë si të pamundur. Inxhinieria kërkon përkushtim, por gjithashtu jep kënaqësi të jashtëzakonshme kur sheh që puna jote merr formë reale. Të jenë gjithmonë të gatshëm të mësojnë, të kërkojnë ndihmë kur është e nevojshme dhe të mbeten modest edhe kur arrijnë sukses-sepse rruga e ndërtimit profesional është e gjatë, por gjithmonë ia vlen.