Besës i kanë mbetur edhe 24 orë nga fillimi i përgatitjeve për sezonin e ri, ku padyshim kërkohet rikthimi i skuadrës në elitë, pas një mungese 12-vjeçare. Në sezonin e fundit, kavajasit i shkuan shumë pranë ngjitjes në elitë, pasi sezonin e rregullt e mbyllën vetëm një pikë larg Flamurtarit të vendit të dytë dhe 2 më pak se kampionët e Vorës.besaBesa pagoi gabimet me të voglat që bëri në shtëpi, ku më shumë peshojnë 5 pikët e lënë me Erzenin e vendit të fundit. Verdhezinjtë pritet që ta nisin sezonin e ri me objektiva madhorë, ose thënë ndryshe për të përmirësuar ato gabime që i rënduan vjet në rrugën e suksesit. Pushimet e Besës po marrin fund, pasi ka qenë vetë klubi, që, përmes një postimi në faqen zyrtare në rrjetet sociale, ka njoftuar se kur ekipi i “ndez motorët”. Ja njoftimi i klubit: “FC Besa njofton se ditën e martë, më datë 1 korrik, ekipi nis stërvitjen e parë për sezonin e ri nën drejtimin e trajnerit Emiljano Çela. Stërvitja do të zhvillohet te ‘Fusha e Vjetër’ në Kavajë, në orën 17:00”.
Fusha- Paralelisht me ndërtimin e skuadrës së re, në Kavajë po punohet edhe në infrastrukturë. Projekti afatgjatë ka të bëjë me ndërtimin e stadiumit të ri, i cili parashikohet të ketë një kapacitet prej 8 mijë vendesh dhe i kategorisë 4 sipas standardeve të UEFA-s. Projekti i shpejtë ka të bëjë me rikonstruksionin e fushës stërvitore, ku po punohet me ritme të larta dhe shumë shpejt Besa do të ketë një strehë në Kavajë, ku e pakta do të përdoret për stërvitje.
Merkato- Kavajasit, pas konfirmimit të dyshes së trajnerëve, Emiljano Çela-Bekim Kuli, kanë nisur punën për përforcimin e skuadrës së sezonit të ri. Sa u përket afrimeve, pritet që i pari të vijë nga radhët e skuadrës së Kukësit, një njohje e vjetër e stafit teknik, Redon Danaj, i cili pritet të jetë pjesë e Besës për sezonin 2024-2025. 24-vjeçari rezultoi shpëtimtari i verilindorëve, pasi goli që shënoi në finalen e “play out”-it ndaj Orikut mjaftoi për të siguruar mbijetesën në Kategorinë e Parë. Mesfushori me tipare sulmuese shikohet si një përforcim me peshë për verdhezinjtë. Më herët, Danaj ka luajtur edhe Besëlidhjen, Shënkollin, Dinamon dhe së fundmi e mbylli si kapiten te Kukësi.