Akademikja Justina Shiroka-Pula, është zgjedhur me 81 vota pro si presidente e Kosovës. Pas këtij hapi, presidentja u betua në Kuvend duke marrë zyrtarisht detyrën.
“Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj ruajtjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, sigurimit të lirive dhe të të drejtave njerëzore e qytetare, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me ndërgjegje e përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrimet e mia”, thuhet në tekstin e betimit.
Ajo u propozua nga kryeministri Albin Kurti për presidente të Kosovës, emër i cili i mirëprit dhe nga Partia Demokratike e Kosovës.
Shiroka-Pula në vitin 2025 është zgjedhur kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), duke u bërë gruaja e parë që udhëheq këtë institucion, të themeluar në vitin 1975. Në këtë detyrë ajo pasoi akademikun Mehmet Kraja.
Ajo shkollimin fillor dhe të mesëm e ka përfunduar në Prishtinë, ndërsa në vitin 1976 ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.
Studimet pasuniversitare në fushën e teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik i ka përfunduar në vitin 1984 në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit të Zagrebit.
Shiroka-Pula është doktoruar në Universitetin e Prishtinës me tezën e doktoratës me titull “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.
Karrierën profesionale e ka nisur në Bankën Popullore të Kosovës, ndërsa në vitin 1978 ka filluar punën si ligjëruese në Fakultetin Ekonomik.
Sipas biografisë së publikuar nga ASHAK, ajo ka ndjekur edhe studime pasdoktorale në Universitetin e Linzit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe ka kryer trajnime të ndryshme profesionale në universitete të ndryshme ndërkombëtare.
Pas përfundimit të luftës, Shiroka-Pula është angazhuar edhe në shoqërinë civile, kryesisht në fushën e fuqizimit të grave, barazisë gjinore, zhvillimit të bizneseve dhe ndërmarrësisë.
Në politikë, ajo ka shërbyer si ministre e Energjisë dhe Minierave të Kosovës nga viti 2008 deri në vitin 2011. Më pas, nga viti 2011 deri në vitin 2014, ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës.