Mbi 14 mijë dosje presin radhën për shqyrtim në Gjykatën e Lartë, ndërsa ky institucion, ende po shqyrton çështje civile të depozituara 9 vjet më parë. Sokol Sadushi ngriti zërin për mungesën e gjyqtarëve dhe kërkoi zgjidhje nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, Shkolla e Magjistraturës, Qeveria dhe Kuvendi.
“Realitet që ende nuk mund të quhet normalitet institucional”, tha Sadushi.
Gjykata e Lartë ka dhënë gjatë këtij viti afro 19 vendime në ditë, duke përfshirë edhe ditët e pushimit. Për kreun e kësaj gjykate, këto shifra nuk janë normalitet dhe as ofrojnë zgjidhje në kohë për qytetarin.
“Ulja e backlog në 61%, duke e reduktuar në 14 081 çështje. Vetëm gjatë vitit 2025 janë dhënë 6876 vendime. Çdo gjyqtar ka dhënë mesatarisht 429 vendime në vit. Këto shifra nuk janë normalitet gjyqësor, ato janë stërmundim profesional”, tha Sadushi.
Sokol Sadushi tregoi se ende po shqyrtohen dosje të depozituara 9 vjet më parë.
“Kolegji civil po përfundon çështje të vitit 2016, po kalon në vitin 2017 dhe tek tuk ndonjë çështje e procedurës së veçantë e vitit 2018”, tha Sadushi.
Panorama është e errët në të gjithë sistemin gjyqësor, sipas kreut të Gjykatës së Lartë.
“Mungesa e gjyqtarëve është pjesa themelore e sistemit të drejtësisë. Me 110 gjyqtarë më pak. Kjo situatë bëhet edhe më shqetësuese kur Shkolla e Magjistraturës, deri në vitin 2028 do të nxjerrë jo më shumë se 67 gjyqtarë të rinj”, tha Sadushi.
Sadushi kërkon që Këshilli i Lartë Gjyqësor të marrë masa për të rritur pranimet në shkollën e Magjistraturës.
“Gjykatat e Apelit përbëjnë hallkën më kritike të sistemit, me vetëm 55.9 % të trupës gjyqësore të parashikuar”, tha Sadushi.
Në bilancin vjetor, kreu i Gjykatës së Lartë i kërkon qeverisë dhe Kuvendit të veprojë për të ofruar zgjidhje që ju ofrojnë qytetarëve drejtësi brenda afateve.
Sadushi tha se sistemi nuk po funksionon siç duhet duke ngritur si shqetësim numrin e ulët të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shkollën e Magjistraturës.
“Unë nuk mund të shprehem pozitivisht për çdo gjë që po ndodh. Unë do ta mbroj atë që kemi hartuar, por mund të jem kritik ndaj mënyrës si po zbatohet reforma në drejtësi. Kam qenë i kujdesshëm, por edhe kritik, për arsyer se sistemi nuk po funksionin siç duhet. Nuk ka një planifikim të qartë nga organet e drejtësisë se ku do të shkohet.
Unë e kam ngritur problematikën e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që duhet të jenë pjesë e Shkollës së Magjistraturës.
Është e papranueshme dhe unë kam qenë kritik ndaj KLP dhe KLGJ që në numrin e planifikuar të kuotave vitin e kaluar nga 40 kaloi në 20 dhe këtë vit e kaloi në 10 gjyqtarë dhe prokurorë. Kjo tregon për një mungesë vizioni në planifikimin e çështjeve“, deklaroi Sadushi.
Sipas tij, reforma duhet të zbatohet me sa më pak dëme, por pavarësisht kritikave u shpreh optimist se reforma po ecën.
“Unë do të përpiqem të jem realist në kritikat e mia, por kam detyrë të ngre zërin ne emrin tim, por edhe asaj që përfaqësoj që kjo reformë duhet të zbatohet me sa më pak dëme. Unë jam optimist për mënyrën si po zbatohet. Pavarësisht kritikave, reforma po ecën. Një gjë është e rëndësishme që kjo reformë po funksionon. Kjo na bën të ndihemi edhe më krenarë për atë punë që kemi bërë, por edhe të jemi kritike, sepse pjesa me kritike është gjykimi i çështjeve brenda afateve”, tha ai.