Rinia në Tetovë përballet me sfida të shumta, nga emigrimi dhe pasiguria për të ardhmen, deri te mungesa e hapësirave për zhvillim dhe angazhim aktiv. Në këtë kontekst, Qendra Rinore synon të krijojë mundësi konkrete për fuqizimin e të rinjve përmes kulturës, edukimit dhe pjesëmarrjes qytetare. Për këto çështje, një nga portalet në RMV bisedoi me drejtoreshën e Qendrës, Shpresa Ramizin, e cila foli për misionin, aktivitetet dhe planet e kësaj hapësire rinore në Tetovë. Po japim edhe ne këtë intervistë, si më poshtë vijon:
Sot të rinjtë po ikin masivisht nga vendi. A po u mungon arsyeja për të qëndruar dhe a mund të jetë Qendra Rinore zgjidhje reale?
Shpresa Ramizi: Largimi masiv i të rinjve nga vendi mbetet një nga temat më të diskutuara në shoqëri. Ky fenomen lidhet ngushtë me globalizimin dhe trendet rajonale, pasi të rinjtë tanë janë të informuar, në hap me bashkëmoshatarët në vende të ndryshme dhe kanë qasje më të lehtë në zhvillime ekonomike, politike dhe shoqërore.
Në Ballkan, kjo dukuri është bërë një “trend” midis të rinjve. Megjithatë, largimi shpesh interpretohet si “largim i së ardhmes” së shoqërisë dhe vendit, por migrimi nuk duhet parë vetëm negativisht. Të rinjtë përvetësojnë dijeni dhe përvoja të reja që, në të ardhmen, mund t’i sjellin përsëri dhe t’i kontribuojnë zhvillimit të vendit tonë.
Arsye për të qëndruar në vend ekziston edhe at shumë…..Tetova si qytet me dy universitete dhe një rini aktive, ka potencial të madh zhvillimor. Megjithatë, një nga sfidat kryesore mbetet mungesa e orientimit dhe vizionit të qartë për të ardhmen profesionale dhe personale të një pjese të të rinjve. Në këtë kontekst, Qendra Kulturore për të Rinj në Tetovë paraqet një nga mundësitë reale për fuqizimin e rinisë, duke ofruar hapësirë për zhvillim, angazhim dhe ndërtim perspektive.
Cilat janë aktivitet dhe programet kryesore që ofroni aktualisht dhe cilat kanë pasur interesin më të madh nga të rinjtë?
Shpresa Ramizi: Qendra Kulturore për të Rinj në Tetovë është një vend ku idetë dhe energjia e rinisë bëhen realitet. Aty mund të gjejnë aktivitete që ju ndihmojnë të zhvillojnë talentin, aftësitë dhe kreativitetin e tyre, si dhe duke ju dhënë mundësi të bëheni pjesë aktive e shoqërisë.
Programet kryesore që ofron Qendra kulturore për të rinj janë:
- Punëtori dhe trajnime praktike për zhvillim personal dhe profesional.
- Aktivitete kulturore dhe artistike për të shprehur kreativitetin dhe talentin e të rinjve.
- Debate dhe ligjërata tematike për të diskutuar ide dhe çështje që ju interesojnë të rinjve.
- Projekte dhe aktivitete hulumtuese, ku mund të kontribuojnë në ndryshimin dhe zhvillimin e qytetit.
- Promovime të veprave letrare dhe autorëve të rinj, duke dhënë hapësirë talenteve lokal si dhe shumë të tjera
Nga përvoja e deritanishme, të rinjtë tregojnë interes më të madh për trajnimet praktike, punëtoritë për aftësi të buta dhe aktivitetet që krijojnë mundësi për bashkëpunim dhe rrjetëzim. Qendra nuk është thjesht një vend aktivitetesh është një hapësirë frymëzuese, ku çdo i ri mund të mësojë, të ndajë idetë e tij, të takojë njerëz të rinj dhe të zhvillohet profesionalisht.
Si i përfshin të rinjtë në vendimmarrje, a janë vetëm pjesëmarrës, apo edhe krijues të ideve dhe projekteve?
Shpresa Ramizi: Qendra Kulturore për të Rinj i përfshin të rinjtë dhe vullnetarët në vendimmarrje në mënyrë aktive. Ata nuk janë thjesht pjesëmarrës janë bashkë krijues të ideve dhe projekteve, duke kontribuar drejtpërdrejt në aktivitetet e qendrës . Përmes konsultimeve, grupeve të punës dhe thirrjeve të hapura, të rinjtë propozojnë, planifikojnë dhe realizojnë projekte, duke bashkëpunuar me profesorë, organizata joqeveritare OJQ dhe partnerë të ndryshëm. Pra ky angazhim u jep mundësinë të rinjve të kontribuojnë si vullnetarë aktivë, duke ndikuar pozitivisht në shoqëri dhe duke dhënë shembull për të tjerët. Ky model i ndihmon ata të zhvillojnë kreativitetin, përgjegjësinë dhe ndjenjën e përkatësisë ndaj komunitetit, shoqërisë si dhe vendit. Pra duke i bërë të rinjtë pjesë aktive të ndryshimit dhe zhvillimit të qytetit, kulturës dhe shoqërisë sonë.
Çfarë kushtet dhe hapësirat që ofron qendra sot, dhe cilat janë mungesat më të mëdha që duhet të zgjidhen?
Shpresa Ramizi: Qendra Kulturore për të Rinj ofron hapësira funksionale për aktivitete kulturore, edukative, si dhe ambiente për punë në grup, diskutime dhe punëtori. Hapësirat janë të hapura dhe të lehta për t’u aksesuar, duke u bërë vend i preferuar për të rinjtë e Tetovës.
Stafi është i dedikuar të përkujdeset për funksionimin e saj, menaxhimin e projekteve dhe bashkëpunimin me vullnetarët dhe të rinjtë, duke i ndihmuar ata të zhvillojnë potencialin dhe të kontribuojnë në shoqëri. Qendra është e hapur çdo ditë pune, nga ora 10:00 deri në 18:00, me fleksibilitet të orarit për t’u përshtatur me angazhimet e të rinjve që i kanë në shkolla dhe universitete. Megjithatë, për të rritur ndikimin dhe për të mbështetur rininë në mënyrë më gjithëpërfshirëse, ekziston nevoja për zgjerim të kapaciteteve, përmirësim të infrastrukturës teknike, pajisje digjitale shtesë dhe hapësira multifunksionale. Këto përmirësime do t’i mundësonin Qendrës të zhvillojë programet gjatë gjithë vitit dhe të ofrojë mundësi më të mëdha për kreativitet, bashkëpunim.
Si financohet Qendra dhe a është mbështetja e mjaftueshme për të mbajtur programin gjatë vitit?
Shpresa Ramizi: Qendra Kulturore për të Rinj financohet kryesisht nga buxheti i Komunës së Tetovës, gjë që ka mundësuar funksionimin e saj dhe realizimin e aktiviteteve për rininë e qytetit. Në të ardhmen, planifikohet që të financohet gjithashtu përmes bashkëpunimeve dhe projekteve me institucione dhe partnerë të ndryshëm, duke rritur qëndrueshmërinë dhe mundësitë për zhvillimin e programeve gjatë gjithë vitit. Mbështetja ekzistuese siguron që Qendra të funksionojë dhe të ofrojë hapësira dhe aktivitete për të rinjtë, ndërsa bashkëpunimet e ardhshme do ta bëjnë atë edhe më të fuqishme dhe gjithëpërfshirëse.
Cilat janë sfidat më të mëdha të rinisë në Tetovë sot (emigrimi, punësimi, apatia) dhe si mund ti ndihmojë kultura ti kapërcejë ato?
Shpresa Ramizi: Të rinjtë në Tetovë përballen me sfida si emigrimi, mungesa e punësimit, perspektiva e paqartë dhe apatia sociale. Megjithatë, mbështetja dhe krijimi i vizionit që ata të realizojnë ëndrrat dhe arritjet e tyre profesionale edhe në vendin tonë është kyç për të ndryshuar këtë situatë. Të rinjtë aktivë dhe të angazhuar kanë impakt të drejtpërdrejtë në shoqëri dhe zhvillimin e vendit, duke u bërë implementues të politikave zhvillimore dhe iniciativave edukative. Edhe pse sfidat janë të shumta, shpresa dhe motivimi për ndryshim nuk duhet të humbasin, pasi rinia është motor i zhvillimit dhe përparimit të qytetit dhe shoqërisë në përgjithësi.
Kultura luan rol të rëndësishëm në kapërcimin e këtyre sfidave, duke krijuar hapësira për shprehje, angazhim dhe zhvillim, si dhe duke ndihmuar në ndërtimin e një identiteti të fortë shoqëror. Përmes aktiviteteve kulturore dhe edukative, të rinjtë fitojnë motivim, vetëbesim dhe aftësi që i fuqizojnë për t’u bërë pjesë aktive dhe kontribuuese në komunitet, shoqëri dhe në vend . Rinia është energjia dhe vizioni i së ardhmes kultura është mjeti që i ndihmon ata të realizojnë potencialin e tyre dhe të ndikojnë pozitivisht në qytet dhe shoqëri.
Cilat janë planet tuaja për vitin 2026 dhe çfarë mesazhi keni për të rinjtë që ende nuk janë bërë pjesë e qendrës?
Shpresa Ramizi: Për vitin 2026, Qendra Kulturore për të Rinj në Tetovë synon të zgjerojë programet ekzistuese, të zhvillojë projekte inovative dhe të forcojë bashkëpunimet lokale dhe ndërkombëtare. Një fokus i veçantë do të jetë përfshirja aktive e të rinjve në krijimin dhe drejtimin e aktiviteteve, duke u dhënë mundësi reale të ndikojnë në zhvillimin e komunitetit.
Programet përfshijnë :Ekspozita dhe programe artistike, përfshirë projekte kuratoriale dhe promovim të artistëve të rinj lokalë dhe rajonalë. Shërbime për OJQ dhe projekte të pavarura, që mbështesin iniciativat rinore dhe zhvillimin e talentit Qendra Kulturore për të Rinj është hapësira juaj. Është vendi ku idetë vlerësohen, talenti mbështetet dhe krijohen mundësi reale për zhvillim personal dhe profesional. Të gjithë të rinjtë janë të ftuar të bëhen pjesë aktive e kësaj hapësirë dhe të kontribuojnë në ndërtimin e së ardhmes së Tetovës.