Policia e Kosovës ka njoftuar se nga 10 deri më 12 prill do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugore në vend, për shkak të vizitës zyrtare të presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në Kosovë.
Gjatë kësaj vizite shtetërore, Policia e Kosovës do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për lëvizjen e sigurt të eskortës presidenciale nga pika kufitare në Vërmicë dhe përgjatë itinerarit të vizitës nëpër rajone të ndryshme të Kosovës.
Për të mundësuar lëvizjen e pandërprerë të eskortës, pritet që në disa segmente rrugore të ketë bllokime të përkohshme të trafikut dhe riorientim të qarkullimit në rrugë alternative.
Policia kërkon mirëkuptim nga qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik, duke theksuar se ndërprerjet do të jenë të shkurtra dhe të kontrolluara, në varësi të agjendës së delegacionit.