Mosmiratimi i buxhetit për vitin 2025 për Komunën e Prishtinës ka nxitur debate mes pushtetit lokal dhe atij qendror, duke u kthyer në një përplasje të drejtpërdrejtë politike.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për bllokadë të qëllimshme financiare ndaj kryeqytetit, ku sipas tij po paralizohen shërbimet jetike dhe po dëmton drejtpërdrejt qytetarët.
Nga ana tjetër, Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka mohuar kategorikisht këto akuza, duke i cilësuar si të pavërteta dhe duke ia lënë fajin vonesave të vetë komunës në miratimin e buxhetit në afatet ligjore.
Fajin për buxhetin ja kanë hedhur njëra tjetrës edhe asamblistët e Lidhjes Demokratike dhe Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa të Partisë Demokratike kanë vlerësuar se mungesë e paaftësisë e të dyja palëve ka dëmtuar buxhetin e kryeqytetit.
Sveçla i VV-së: Fajtori kryesor për buxhetin e Prishtinës është LDK-ja
Shefi i asamblistëve të Vetëvendosjes në Prishtinë, Gezim Sveçla, ka mohuar kategorikisht akuzat e kryetarit Përparim Rama lidhur me bllokimin e buxhetit të kryeqytetit.
Sipas Sveçlës, deklaratat e Ramës janë “krejtësisht të pavërteta”.
“Krejt e pavërtetë ajo që po deklaron Rama në lidhje me buxhetin, ligji është i qartë. Buxheti i kuvendit komunal i Prishtinës është miratuar në tetor , dy muaj pas miratimit të buxhetit të Kosovës në Kuvend në raste të tilla duhet të bëhet plotësim ndryshim i ligjit për buxhetin nga Kuvendi i Kosovës dhe në të të inkorporohet buxheti i komunës po meqë Kuvendi nuk është konstituar dhe me fajin e LDK që vazhdon të mos i pranoj humbjet e zgjedhjeve”, ka deklaruar ai.
Ai akuzoi Ramën për manipulim publik dhe tentativë për të shpërndarë fajin e tij për keqqeverisje me kryeqytetin.
“Fajtori kryesor për fuqizimin e buxhetit është LDK. Kjo nuk po ndodh veç me Prishtinën por edhe me Gjilanin. Ankesat e Ramës janë kozmetike e fundit e tij se po mundohet ta gjejë një fajtor për me bartë fajin për dështimin kolosal për vitet e kaluara”, u shpreh ai.
Bejta e LDK-së: VV-ja po e përdor bllokadën e buxhetit të Prishtinës për përfitime politike
Asamblistja e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë, Fiknete Bejta, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po e shfrytëzon situatën me bllokimin e buxhetit të komunës për qëllime elektorale.
“LVV nuk ka arritur me fituar shumicën në Kuvend qendror dhe zgjedhjet janë më 12 tetor, këto dy raste po mundohet ti kthej në favor të vetin. LVV duke sabotuar punën në Kuvende, bllokimin e projekteve dhe duke e shfrytëzuar mundësinë e bllokadës së Prishtinës për me i arrit qëllimet në nivel qendror”, deklaroi ajo.
Ajo tha se VV, duke mos arritur të fitojë shumicën në Kuvendin e Kosovës dhe përballë zgjedhjeve të 12 tetorit, po përpiqet të kthejë këtë situatë në favorin e saj politik.
“Veprimi i fundit i bllokadës së buxhetit të komunës pa një arsye të bazuar në ligj, shihet që LVV nuk po mendon për hallet e qytetarëve por se si të arrijnë rezultate më të mira në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë Bejta.
Retkoceri: Mungesa e Qeverisë dhe paaftësia menaxhuese po e dëmtojnë buxhetin e Prishtinës
Asamblisti i PDK-së në Prishtinë, Leutrim Retkoceri ka thënë se bllokimi i buxhetit të komunës ka lidhje me krizën në nivel qendror dhe mungesën e formimit të institucioneve.
“Mungesa e formimit të qeverisë në nivel qendror ndikon në përformancën financiare edhe të komunave në nivelin qendror, situata në Prishtinë është edhe më specifike kur kemi të bëjmë me një buxhet as nuk ishte planifikuar as kaluar në afatet ligjore siç e parasheh ligji”, tha ai.
Retkoceri akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, për mungesë kompetence dhe menaxhim të dobët në çështjet publike dhe financiare.
“Si në nivelin qendror ku qeverisë Rama ashtu edhe më shumicë të konsiderueshme Kurti me VV kemi të bëjmë me dy personalitete që kanë mungesë të kompetencës dhe menaxhimit në aspekte publike dhe financiare, qytetarët po e pësojnë më shumë”, potencoi Retkoceri./Front Online