21 kamionë qëndrojnë prej disa ditësh të bllokuar në doganën e Hanit të Hotit në Shkodër, që lidh vendin tonë me Malin e Zi, pasi rezultuan me aflatoksinë. Në këto kamionë gjenden plot 520 ton misër, që vendin e origjinës e ka në Serbi.
Për këtë situatë i ftuar në ‘Sot Live në Shqipëri’ ishte ish-ministri i Buqësisë Edmond Panariti. Ai theksoi se ky ishte një lajm mjaft i mirë pasi aflatoksina B1 është një lëndë mjaft e rrezikshme, një kancerogjen i fortë ashtu si arseniku.
“Është një lajm shumë i mirë që arrijmë të bllokojmë një sasi kaq të madhe misri i destinuar për bujqësinë, sepse aflatoksina B1 është një lëndë shumë e rrezikshme, nuk ka të krahasuar me ndotjet, pesticidet apo salmonelës. Aflatoksina është një produkt i mykyt, që krijohet në mjediset pa dritë dhe lagështirë. Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe ajo mbi kërkimet shkencore për kancerin e klasifikojnë si një kanceroregjen shumë të rrezikshmëm ashtu si arseniku. Megjithatë duhet bërë se sa ngarkesa kanë hyrë në vend dhe ku kanë shkuar, kush biznese e kanë përdorur për blegtorinë apo pularinë”, tha Panariti.
Më tej ai theksoi se kjo lëndë transmentohet te njeriu përmes produkteve që konsumojmë, mes tyre mishi apo qumështi.
“Përmes ushqimit të blegtorisë kalon në qumësht, mish – na dëmton edhe ne, sepse jemi konsumatorë të këtyre produkteve. Aflatoksina B1 Është një shtypës i imunitetit, moshat e treta apo fëmijët janë grupe me rrezik të lartë. AKU duhet të dalë në një konferencë për shtyp dhe të publikojë përgjigjet e analizave,sepse nuk mund të rrezikojmë shëndetin e fëmijëve dhe të prindërve tanë nga prania e toksinave të tilla. Ato nuk shkatërrohen nga proceset e përpunimit termik, ndryshe ndodh me salmonelën në 60 gradë shkatërrohet”, tha ai.
Panariti nënvizoi se kontorlle duhet të bëhen edhe në lajthi, kikirikë dhe bajame pasi është pranishme në sasi të konsiderueshme sidomos kur ato tregtohen të hapura.
Një temë tjetër që Panariti vuri në dukje ishte edhe shitja e mandarinave vendase në treg. Ai nënvizoi se Ministria e Bujqësisë duhet të qëndrojë afër prodhuesve, teksa në anën tjetër produkti duhet të reklamohet.Sipas tij është diskriminuese kur sheh që tregjet janë të mbushura me mandarina vendase, por përsëri shiten ato që vijnë nga jashtë.
“Ministria duhet të qëndrojë shumë afër prodhuesve, pasi mandarina jonë nuk duhet trajtuar në këtë mënyrë kaq diskriminuese. Duhet të bëhen analizat e produkit për të parë nëse është një mandarinë ciliësore, teksa nga ana tjetër edhe duhet të reklamohet. Drejtuesit më të lartë duhet të japin mesazh që kjo mandarinë është e mirë dhe e shëndetshme. Nuk mund të rrimë duarkryq dhe të presim që prodhimi vendas të shtypet. Të vjen keq kur tregjet janë të mbushura me mandarinat tona dhe të shiten mandarinat e importuara nga paniku që krijohet ndonjëherë të pamerituar”, tha ai.
Në fund Panariti foli edhe për përmbytjet në disa zona të vendit.
‘Kam qenë ministër i bujqësisë dhe e di se çdo të thotë përmbytje, të shohësh të shkatërruar të mbjellat e tua, është një dramë shumë e madhe. Sistemi i vaditjes dhe kullimit duhet të jetë unik dhe i admnistruar vetëm nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, sot që flasim është i fragmentuar Ministria e Bujqësisë kontrollon hidrovoret kanalet kryesore, ndërsa kanalet e dyta e të treta kontrollohen nga bashkia që marrin edhe fonde. Mendoni ju që një kryetari i një bashkie i shkon mendja për të pastruar një kanal kullimi. I bëj apel qeverisë ta rikthejë edhe njëherë sistemin aty ku ka qenë: t’i japë kompetencë dhe fonde vetëm një organi. Problemi më i madh nuk është te hidrovoret por te pastrimi i kanaleve të dyta e të treta. Çfarë do të tërheq hidrovori teksa kanalet janë të bllokuara’, tha ai.