Nga Asambleja e PS në Lushnjë, kryeministri Edi Rama u kujdes të nënvizojë edhe njëherë se nuk ka bllokim negociatash me BE. Shefi i qeverisë e quajti një gënjeshtër me 7 bishta deklaratat e opozitës se BE ka bllokuar negociatat me vendin tonë, duke shtuar se gjithçka po ecën sipas planit të dakordësuar me Unionin.
“Përveç atyre që na kanë dhënë votën dhe mbështetjen më 11 maj, askush tjetër nuk na e fal dhe nuk do t’ia dijë fare për atë fitore që ne morëm, në kuptimin e respektit dhe detyrave, por do vetëm sherr, shamatë, baltë dhe llum. E gjithë kjo bie edhe mbi ata që na kanë dhënë votën, sepse të dëgjosh përditë e përnatë vetëm keq dhe zi, sigurisht që diçka ndodh në aspektin e motivimit.
Ne nuk kemi një mundësi të korrigjojmë të tjerët, vetëm korrigjojmë veten dhe punën tonë, dhe pjesë e kësaj është edhe rritja e komunikimit me njerëzit. U mbush gjithë hapësira e mediave me një vorbull për bllokimin e negociatave, një gënjeshtër me shtatë bishta. Ne po ecim sipas planit të BE-së. E nisëm nga fundi i bishtit të kavallit dhe jemi përpara bashkë me Malin e Zi”, tha Rama.
Nuk ka ndodhur kurrë, tha Rama, që partitë politike të shkojnë nëpër kryeqytetet e Europës dhe të bëjnë copash vendin e tyre e ta sakatojnë në gjuhë të huaj. Kryesocialisti ironizoi edhe opozitën duke thënë se “ata i kanë gjithmonë pas”, dhe se i gënjen mendja se do ta mundin PS duke lehur në Bruskel, apo duke dalë në televizor jashtë shtetit.
“Nuk ka ndodhu që partitë të shkojnë nëpër kryeqytetet e Europës dhe të bëjnë copash vendin e tyre, këtë e bëjnë vetëm ata, s’mund të themi që i kem përball, se ata i kemi mbrapa, gjithmonë e më mbrapa, por nuk dalin njerëzit kështu nga vetja të sakatojnë vendin e tyre në gjuhë të huaj. Nuk e di për çfarë, i gënjen mendja se do na mundin ne këtu duke dalë në televizion jashtë shtetit, duke lehur në Bruksel, do na ulin ne dhe do ngrenë veten. Sa më shumë ta bëjnë këtë gjë, aq më shumë do zhyten, se jo të gjithë janë të lumtur që Shqipëria po bën sukses”, tha Rama.
Ndërkohë nuk ka vonuar as përgjigja e kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili në një status shkruar se procesi i integrimit në BE është bllokuar dhe kjo për shkak të qëndrimit që qeveria ka mbajtur për çështjen e Belinda Ballukut.