Boksieri nga Lezha, Jurgen Uldedaj, është shpallur kampion bote në peshën “cruiserweight” (deri në 90 kg), pas një paraqitjeje madhështore në “O2 Arena” të Londrës.
Uldedaj arriti të triumfojë ndaj kamerunasit Rolly Lambert Fogoum, në një përballje të fortë e të luftuar deri në fund, duke fituar me vendim unanim të gjyqtarëve (120-108, 118-110, 119-109). Me këtë sukses, ai rrëmbeu titullin botëror të federatës IBO, duke ngjitur emrin e tij mes më të mirëve të këtij sporti.
Të dy boksierët u treguan mjaft taktikë në ring, por boksieri nga Lezha ishte më agresiv, sidomos në raundet e para, ku dhe ‘ndërtoi’ fitoren e tij. Në fund të 12 raundeve, juria shpalli fitore unanime për Jurgen Uldedajn, i cili me këtë triumf u bë boksieri i parë shqiptar që fiton titull bote në kategorinë IBO për peshën “Cruiserweight”.
28-vjeçari Uldedaj arriti të mbrojë avantazhin dhe të ngrejë lart flamurin kuqezi. Me suksesin në Londër, Uldedaj e çon në 21 numrin e fitoreve gjatë karrierës, 8 nga të cilat me K.O, ndërsa ka vetëm një humbje.
U shpall kampion bote, Jurgen Uldedaj: Një titull për të gjithë shqiptarët
Pas përballjes lezhjani reagoi në kanalet e komunikimit, teksa titullin ia dedikon të gjithë shqiptarëve.
“FALEMINDERIT NGA ZEMRA. Dua t’ju falenderoj të gjithëve për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe për urimet e panumërta për fitoren. Çdo mesazh, çdo fjalë dhe çdo lutje më kanë dhënë forcë në rrugën drejt këtij momenti historik.
Jam krenar që arrita të shpallem Kampion Bote IBO në kategorinë Cruiser, dhe mbi të gjitha, që këtë fitore ia dedikoj Shqipërisë. Ky është vetëm fillimi. Faleminderit që më keni qëndruar pranë në çdo hap”, shkruan Uldedaj..
S.Dh/Shqiptarja.com