Shqipëria ka arritur një moment historik në futboll, duke siguruar për herë të parë pjesëmarrjen në play-off-et për Kupën e Botës 2026. Të enjten në orën 13:00 do të hidhet shorti që do të përcaktojë kundërshtarët e kuqezinjve në gjysmëfinale dhe në rast kualifikimi, në finalen vendimtare për biletën drejt turneut më të madh botëror të futbollit, që zhvillohet verën që vjen në Amerikën e Veriut nga 11 qershori më 19 korrik.
Në bazë të renditjes së FIFA-s, Shqipëria do të jetë e vendosur në Vazon e tretë, po ashtu si Kosova, duke u detyruar të luajë në gjysmëfinale si skuadra udhëtuese, kundër një prej ekipeve të Vazos së dytë.
Pas ndeshjeve të fundit kualifikuese dhe ndryshimeve në renditjen botërore, katër skuadrat rivale në play-off për Shqipërinë dhe Kosovën janë: Polonia, Uellsi, Çekia dhe Sllovakia. Pra, Shqipëria dhe Kosova do ‘peshkojnë’ një prej tyre gjatë shortit. Sipas rregullores, ekipet e Vazos 1 do ndeshen me ato të Vazos 4 që vijnë nga Liga e Kombeve, ndërsa ato të Vazos 2 me ekipet e Vazos 3.
Ndeshjet gjysmëfinale janë programuar për më 26 mars 2026, ndërsa finalet do të zhvillohen më 31 mars, me Shqipërinë që synon historinë e saj të madhe në futbollin ndërkombëtar.
Ndarja e vazove për shortin e të enjtes:
Vazo 1: Itali, Danimarkë, Turqi, Ukrainë
Vazo 2: Poloni, Uells, Çeki, Sllovaki
Vazo 3: Irlandë, Shqipëri, Bosnjë Hercegovinë, Kosovë
Vazo 4: Suedi, Rumani, Maqedoni e Veriut, Irlandë e Veriut
Si funskionon play-off
12 skuadrat e renditura të dytat nga grupet kualifikuese të zonës UEFA dhe 4 skuadrat më të mira nga Liga e Kombeve do bashkohen në një short. 16 skuadrat do ndahen në katër vazo (1,2,3,4) sipas renditjes në FIFA.
UEFA ka vendosur që ekipet e Vazos 1 të përballen me ato të Vazos 4 (ekipet që vijnë nga Liga e Kombeve). Ndërsa ekipet e Vazos 2 do përballen me ato të Vazos 3. Në këtë fazë UEFA i jep përparësi ekipeve me koeficient më të lartë në renditjen mujore të FIFA-s dhe për rrjedhojë skuadrat e Vazos 1 dhe ato të Vazos 2 do i zhvillojnë ndeshjet në shtëpi.
Duelet gjysmëfinale do jenë me një takim dhe nëse gjatë 90 minutave nuk ka fitues, ndeshjet shkojnë në shtesë dhe më pas me penallti.
Fituesit që do dalin nga këto çifte (8 skuadra), do përballen në finalet me një takim sipas një shorti që veç rivalëve, vendos edhe vendin e zhvillimit të ndeshjes, pa preferenca nga koeficienti. Këtu futen në lojë të teta skuadrat (nëse kualifikohet edhe Shqipëria).
Pra në rastin më të mirë Shqipëria do ketë edhe dy takime në play-off e Kupës së Botës. Në rastin më të keq, do luajë vetëm një duel.