Fillimi i vitit të ri shkollor 2025-2026, e ka gjetur shkollën 9-vjeçare “Rexhep Ahmet Haxhiaj” në Ngraçan të Mallakastrës vetëm me 7 nxënës. Sipas banorëve, dikur kjo shkollë numëronte 270 nxënës, ndërsa janë disa faktorë që kanë ndikuar në reduktimin masiv të tyre.
***
Banorët tregojnë se për shkak të mungesës së investimeve kjo zonë me tradita, është braktisur masivisht. Një segment rrugor prej gati 2 kilometra është tërësisht i amortizuar. Po kështu mungon energjia dhe ka shkëputje të energjisë elektrike. Këto janë shkaqet kryesore që kanë detyruar banorët të braktisin fshatin.
“Energjia elektrike, një erë të fryjë, ne rrimë pa drita.
Kanë ikur të tërë. Edhe këta që janë, i çojnë në Ballsh.
Nxënësit shkojnë në Ballsh, me furgon”, shprehen banorët.
Nga 300 familje që numëroheshin deri ne vitet ’90, sot kanë mbetur vetëm 63 familje. Veçanërisht të moshuarit kujtojnë me nostalgji kohën kur Ngraçani gumëzhinte nga zërat e fëmijëve, ndërsa shprehin keqardhje se shkolla ka mbetur vetëm me 7 nxënës.
“E kemi të vështirë për të ta përballuar. 2 familje që janë ku t’i çosh”, shprehen banorët.
Ngraçani, është një zonë arsimdashëse. Sipas kryeplakut, Sabri Saliaj shkollë është ndërtuar në kohën e Zogut dhe ka nxjerrë emra të shquar, mes të cilëve regjisorin e njohur Mevlan Shanaj.
“Shkolla është hapur në vitin 1938. Vite më parë numëronte 270 nxënës. Njerëzit po katandisen, po ikin, po bëjnë rrugë të gjatë në Ballsh. Kemi vajtur tek kryetari i bashkisë disa herë dhe ai tha, jo në shtator, dhe kjo po zvarritet. Njerëzit do ikin”, shprehet ai.
Këtë vit shkollor, për shkak të numrit të ulët të nxënësve mësimi do të zhvillohet në një klasë kolektive.
Banorët apelojnë për të gjitha institucionet përgjegjëse që të marrin masat e duhura që kjo shkollë me traditë, e ndërtuar që në kohën e Ahmet Zogut dhe që ka nxjerrë emra të njohur intelektualësh, të mos braktiset e të mos mbyllet.