Të mërkurën në mëngjes, trajneri i Zvicrës, Murat Yakin, shpalli listën e lojtarëve për ndeshjet përfundimtare kualifikuese të Botërorit 2026. Adrian Bajrami ishte sërish pjesë e saj. Mbrojtësi i Luzernit debutoi me Zvicrën në tetor, në Slloveni. Pas hyrjes në lojë për pak minuta, u vlerësua nga idhulli i tij, Granit Xhaka, si “njeriu i së ardhmes”.
“Vërtet nuk pata kohë të bëhem nervoz”, thotë Bajrami duke kujtuar minutat e tij të para me kombëtaren helvete, ndërsa e takojmë për intervistë në Luzernë. Në Ljubljanë, pas dëmtimit të Ricardo Rodriguez, gjithçka ndodhi shumë shpejt: “Kur po prisja në vijën anësore për t’u futur, mora frymë thellë dhe i thashë vetes: Tani hyj dhe luaj lojën tënde”.
Në Lisbonë forcoi karakterin
Përshtatjen e shpejtë në ambiente të reja, Bajrami, i lindur në Oberaargau, e mësoi herët në jetë. Në moshën 16-vjeçare, ai la pas zonën e tij të rehatisë në Langenthal dhe si i ri i Young Boys u transferua në akademinë e Benfikës në Lisbonë për të dëshmuar cilësitë.
“Atje më duhej të bëhesha i pavarur shumë herët, të mësoja të përballesha vetëm me gjithçka dhe të piqesha si njeri. Ajo periudhë e formësoi fort karakterin tim”, kujton qendërmbrojtësi. Tek klubi i madh portugez nuk arriti të depërtonte plotësisht në ekipin e parë, por në stërvitje mësoi shumë nga yje si Angel Di Maria apo Nicolas Otamendi dhe siç thotë vetë, mësoi portugalishten në kohë rekord.
Lidhje e fortë me familjen
Verën e kaluar, Bajrami la Lisbonën për të kaluar te Luzerni. Përveç aspektit sportiv, arsye të rëndësishme për këtë hap ishin edhe ato familjare.
“Pas stërvitjes kthehem në shtëpi dhe jam me prindërit e mi, me vëllezërit e motrat. Këtë kënaqësi nuk e kisha pasur për 7 vite”.
Djali i prindërve shqiptarë ruan një lidhje shumë të afërt me ta. “Ata e kanë ndërtuar gjithçka nga e para këtu. Jam jashtëzakonisht krenar për ta, madje më krenar për prindërit e mi sesa për veten time”.
Kur mori rrogën e tij të parë, madje ua kishte ofruar prindërve paratë në dispozicion. “Ata janë shumë kokëfortë për këto gjëra, nuk do të pranonin kurrë para nga unë”, tregon debutuesi i kombëtares helvete duke qeshur.
Në pritje të duelit me Kosovën
Pas ndeshjes me Suedinë, Zvicra do të udhëtojë në Prishtinë për ndeshjen e fundit të fushatës kualifikuese. Edhe pse rrënjët e Bajramit janë nga Struga e Maqedonisë së Veriut, për ish-lojtarin e kombëtares së Shqipërisë kjo sfidë kundër Kosovës ka një domethënie të veçantë.
“Sigurisht që ekzistojnë lidhje. Është një ndeshje e veçantë, që të jep kënaqësi ta luash”.
Përpara se të zgjidhte Zvicrën, Bajrami kishte luajtur tre miqësore me kombëtaren shqiptare. Ai ndjen ende lidhje me të dyja vendet. “Ndihem njëkohësisht zviceran dhe shqiptar, – thotë me krenari për origjinën e tij, – jam rritur në mënyrë shqiptare, me traditat, gjuhën dhe kulturën. Njëkohësisht, kam lindur dhe jam rritur në Zvicër, ky është vendi im. Jam krenar që përfaqësoj këtë vend”.