Kriza institucionale ka nxitur gjithashtu nga ambasadorët ndërkombëtarë në Kosovë. Ambasadori britanik në Kosovë dhe ai gjerman u kanë bërë thirrje partive politike të bashkëpunojnë për tejkalimin e pengesave për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.
Thirrja e tyre vjen pasi dje për herë të dytë dështoi konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Deputetët do të mblidhen sërish nesër, në një tentim të tretë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka deklaruar se Kosova ka nevojë urgjente për një Kuvend dhe Qeveri funksionale, derisa përmendi fakti se kanë kaluar mbi dy muaj prej procesit zgjedhor.
Ai ka shkruar në rrjetin social X se populli i Kosovës ka të drejtë të kërkojnë që liderët e tyre politikë të punojnë së bashku për interesat kombëtare”,
“Më shumë se dy muaj prej kur populli i Kosovës votoi në zgjedhje. Kosova ka nevojë urgjente për një Kuvend dhe qeveri funksionale. Populli ka të drejtë të kërkojë që liderët e tyre politikë të punojnë së bashku për interesat kombëtare”, ka thënë Hargreaves.
Ndërkaq ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka deklaruar se qytetarët kosovarë meritojnë politikanë që prioritet e kanë Kosovën “mbi politikën partiake”.
Ai thënë se nevojitet urgjentisht një bashkëpunim i mirëfilltë për të siguruar formimin dhe funksionimin e një qeverie të qëndrueshme.
“Mbi dy muaj pas zgjedhjeve, Kuvendi i Kosovës mbetet i bllokuar për shkak të taktikave penguese. Qytetarët meritojnë politikanë që prioritet e kanë Kosovën, mbi politikat partiake. Prandaj, e përsëris: Duhet urgjentisht një bashkëpunim i mirëfilltë për të siguruar funksionimin e institucioneve dhe formimin e shpejtë të një qeverie të qëndrueshme”, ka shkruar ai në rrjetin social “Bluesky”.
Të enjten ka dështuar për të dytën herë të bëhet konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ka ndërprerë seancën pa e hedhur në votim raportin e Komisionit për verifikim të kuorumit dhe mandateve, pasi ka thënë se në takimin që e ka zhvilluar me përfaqësuesit e partive politike ka parë që qëndrimet e tyre nuk kanë ndryshuar. Ai ka thënë se seanca do të vazhdojë pas dy ditësh, më 19 prill në orën 12:00.
Ndërprerja e seancës u cilësua si tendencë e partisë së parë si zvarritje në tentim të bërjes së numrave, të cilat po vlerësohet se nuk i kanë.
Seanca e djeshme ishte vazhdim i asaj të 15 prillit.