Britania heq sanksionet ndaj presidentit sirian Ahmed al-Saraa, një ditë pas vendimit të ngjashëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në prag të takimit të tij me presidentin amerikan Donald Trump javën e ardhshme, ndërkohë që Bashkimi Evropian ka konfirmuar se do të ndjekë të njëjtën rrugë.
Britania njoftoi gjithashtu se po heq sanksionet ndaj ministrit të Brendshëm të Sirisë, Anas Khatab.
Të dy zyrtarët kishin qenë më parë nën masa ekonomike të lidhura me luftën kundër Shtetit Islamik dhe Al Kaedës.
Vlen të theksohet se qeveria Starmer kishte ndërmarrë tashmë disa lehtësime të sanksioneve ndaj Sirisë në muajin prill, ndërsa BE-ja e ndoqi në maj, megjithatë ndalimet që lidhen me armët dhe sigurinë mbeten ende në fuqi.
“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj mbështetjes së një tranzicioni paqësor dhe gjithëpërfshirës nën drejtimin dhe përgjegjësinë e vetë Sirisë, me qëllim ndërtimin e një të ardhme më të mirë për të gjithë sirianët,” deklaroi një zëdhënës i Komisionit Evropian.