Më 17 tetor, në orën 19:00, në Maison Stepman (Boulevard Léopold II, 250 – Koekelberg, Bruksel), mbahet një mbrëmje poetike solemne kushtuar jubileut të shkrimtarit belgo-shqiptar Skënder Sherifi në 70-vjetorin e tij të lindjes dhe 50-vjetorit të krijimtarisë letrare.
Ky aktivitet, i organizuar nga Les Poètes Ambulants, mbledh poetë, artistë dhe miq të artit nga mbarë Belgjika e Europa për të nderuar një prej zërave më të veçantë të letërsisë frankofone shqiptare.
Sherifi, i njohur për poezinë e tij të thellë dhe filozofike, për lidhjen e gjuhëve, kulturave dhe identiteteve, ka ndërtuar për dekada ura midis botës shqiptare dhe asaj frankofone.
Brukseli, me këtë nderim, e tregon sërish se është jo vetëm kryeqyteti i institucioneve evropiane, por edhe kryeqyteti shpirtëror i një Europe të bashkuar përmes artit, kulturës dhe kujtesës.
Hyrja është falas, dhe mbrëmja do të jetë një bashkim i poezisë, muzikës dhe miqësisë, një nderim për shkrimtarin që i dha fjalës peshë, kujtesës dritë dhe kulturës shqiptare një vend të denjë në zemrën e Evropës.